Në fushë luhet futboll dhe ndeshja përfundon 2-2, ndërsa në tribuna përplasjen tifozeritë
Altin Manallari
Duhej të ishte një festë sportive ndeshja mes Lushnjës dhe Partizanit, por është katandisur në një “guerile” pas përplasjes mes dy tifozerive me kore fyese dhe hedhjen e sendeve të forta kundër njëra-tjetrës, të cilat ia kanë zbehur disi imazhin kësaj supersfide, që gjithsesi në fund u mbyll me barazimin 2-2.
Në praninë e rreth 7 mijë tifozëve (më të shumtë vendas, por nuk ishin të paktë ata të ardhur nga kryeqyteti) në “Roza Haxhiu”, ndeshja u parapri nga inaugurimin e tapetit të ri. Po ashtu, kjo ndeshje ishte parë si një festë për rikthimin pas katër vitesh të këtyre dy skuadrave në Superiore. Luhej ndeshja përmbyllëse e sezonit të Kategorisë së Parë, mes Lushnjës kampione dhe Partizanit të vendit të dytë. Të dy skuadrat i kishin arritur objektivat, rezultati nuk ishte gjëja më e rëndësishme e kësaj sfide. Gjithsesi, ky duel nuk u ka shpëtuar dot problemeve, pas incidenteve mes dy tifozerive, të cilat nuk e përmbajtën tensionin në shkallët e stadiumit. Në fushë po luhej një futboll i bukur luftarak mes dy ekipeve, por kur mbërriti minuta e 32-të, vjen edhe incidenti i parë. Shkak për shpërthimin e situatës është bërë një fishekzjarr i hedhur në fushë nga tifozët e kuq. Por futbollisti lushnjar, Alban Byzhyti, bëri një veprim të pamenduar mirë, duke e hedhur fishekzjarrin mbrapsht, atje ku ishin të vendosur tifozët e “Demave të Kuq”. Kjo irritoi pa masë mbështetësit e miqve, të cilët hodhën një lumë fishekzjarrësh të tjerë në fushën e lojës, gjë që solli ndërprerjen e ndeshjes. Menjëherë ka ardhur kundërpërgjigjja e tifozerisë lushnjare, që nuk ka kursyer as gurët në drejtim të miqve, duke i detyruar shumë prej këtyre të fundit që ta braktisin ndeshjen. Forcat e rendit i tërhoqën tifozët e shumtë të Partizanit në tunel. Me rikthimin e qetësisë, gjyqtarët vendosën të rifillonte ndeshja. Ndërsa pas kalimin e jo më shumë sesa 10 minutave tifozët kryeqytetas u rikthyen në tribunën e tyre, vetëm pasi policia kishte krijuar një zonë sigurie mes tyre dhe lushnjarëve. Menjëherë pas rinisjes së lojës u zhbllokua rezultati me Oladele për të kuqtë: ai godet nga një largësi prej 30 metrash në minutat shtesë të pjesës së parë dhe shënon një eurogol. Topi pushon në trekëndëshin e portierit Spaho, i cili s’ka çfarë të bëjë, vetëm ta nxjerrë atë nga rrjeta e tij. Sapo rivihet topi në lojë nga mesi i fushës, aksioni zhvendoset në gjysmëfushën e të kuqve, ku Stojkoviç finalizon me kokë dhe barazon shifrat. Për anësorin, topi i goditur nga serbi i Lushnjës e kishte kaluar vijën fatale. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Edhe në pjesën e dytë një lojë plot grintë, me sulme e kundërsulme në të dyja portat, të cilat ishin hedhur në kërkim të fitores. Këtë herë janë lushnjarët që gjejnë avantazhin 2-1 në minutën e 65-të me Mikel Cankan, “Këpucën e Artë” e Kategorisë së Parë. Por gëzimi i vendësve nuk zgjati shumë. Të kuqtë janë hedhur shpejt në sulm dhe me anë të Malos kanë arritur të barazojnë shifrat në 2-2 në minutën e 69-të. Ka ekuilibër loje dhe rezultati në minutat e mëpasshme, ndaj vërshëllima e fundit e kryesorit Servet Bogdani, që i ka dhënë lamtumirën arbitrimit, vulos barazimin 2-2. Lushnja vijon të festojë marrjen e trofeut të kampionit, ndërsa të kuqtë kthehen me petkun e një skuadre të Superiores.
Incidenti mes tifozerive
Shkak për shpërthimin e situatës është bërë një fishekzjarr i hedhur në fushë nga tifozët e kuq. Futbollisti lushnjar, Alban Byzhyti, bëri një veprim të pamenduar mirë, duke e hedhur fishekzjarrin mbrapsht, atje ku ishin të vendosur tifozët e “Demave të Kuq”. Kjo irritoi pa masë mbështetësit e miqve, të cilët hodhën një lumë fishekzjarrësh të tjerë në fushën e lojës, gjë që solli ndërprerjen e ndeshjes. Menjëherë ka ardhur kundërpërgjigjja e tifozerisë lushnjare, që nuk ka kursyer as gurët në drejtim të miqve, duke i detyruar shumë prej këtyre të fundit që ta braktisin ndeshjen. Forcat e rendit i tërhoqën tifozët e shumtë të Partizanit në tunel.