Xhudistja vazhdon të shkëlqejë, duke marrë një tjetër medalje të artë për Kosovën
Majlinda Kelmendi është shpallur Kampione e Europës në xhudo në peshën deri në 52 kilogramë. Xhudistja nga Peja ka konfirmuar edhe dje se është në kulmin e formës së saj sportive, duke i shtuar një medalje të artë koleksionit mbresëlënës, ku në vitin e fundit ka shtuar edhe titullin Kampion Bote, si dhe fitoren në dy turne prestigjiozë, duke garuar nën ngjyrat e flamurit të Kosovës.
Në aktivitetin që zhvillohet në Francë, Kelmendi ka shkëlqyer në rrugën drejt finales dhe kësaj medaljeje të parë të artë në Europian, që ajo ka siguruar në karrierën e saj. Fitoret e lehta ndaj rumunes Aleksandra Florian dhe armenes Zhana Stankeviç në grup, i dhanë mundësinë Kelmendit që të garonte për medalje, duke u kualifikuar në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian. 22-vjeçarja arriti të shkonte në finale falë suksesit të radhës ndaj gjermanes Maren Kreh, një nga kundërshtarët më të vështira të saj. Kreh ishte fituese e medaljes së bronztë në Kampionatet Europiane të viteve 2006 dhe 2012, ndërsa kishte fituar medaljen e bronztë në Botërorin e vitit të kaluar, ku në grup ishte mundur përsëri nga sportistja kosovare. Në finale, Kelmendin e priste rusja Natalia Kuziutina, e cila ashtu si të gjitha rivalet e tjera u detyrua të dorëzohej para formës së Kelmendit, që i ka dhënë Kosovës një tjetër medalje të artë shumë prestigjioze.
Në më pak se një vit, Majlinda Kelmendi është shpallur Kampione Bote, Kampione Europe si dhe ka fituar dy Grand Prix në Turqi dhe Francë. Falë këtyre rezultateve të njëpasnjëshme, ajo klasifikohet nga Federata Botërore e Xhudos si xhudistja më e mirë në botë falë pikëve që ka marrë në këto aktivitete. Për më tepër, me pikët që ka marrë, ajo renditet e para edhe në klasifikimin e përbashkët të meshkujve dhe femrave, të të gjitha peshave të ndryshme.