Bota e sportit është në zi pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez të Liverpoolit, Diogo Jota, i cili humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së enjtes pas një aksidenti të tmerrshëm automobilistik në Spanjën veriore. Bashkë me të në makinë ndodhej edhe vëllai i tij, André Jota, 26 vjeç, që fatkeqësisht po ashtu humbi jetën në vend.

Sipas mediave spanjolle, aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit në autostradën A-52, pranë qytetit Cernadilla në provincën e Zamorës, fare pranë kufirit me Portugalinë. Automjeti me të cilin po udhëtonin vëllezërit, një Lamborghini luksoz, dyshohet se ka humbur kontrollin pasi i ka plasur një gomë gjatë një parakalimi me shpejtësi të lartë. Pas përmbysjes, makina shpërtheu në flakë, duke mos lënë asnjë shans për shpëtim.

Ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje, por të dy vëllezërit ishin gjetur pa shenja jete. Pamjet e publikuara nga mediat vendase tregojnë një skenë dramatike: mbetjet e karbonizuara të Lamborghini-t të përmbysur në anë të rrugës, ndërsa hetuesit dhe zjarrfikësit vijojnë inspektimin.

Diogo Jota, vetëm 28 vjeç, ishte një nga emrat më të spikatur të Liverpoolit dhe futbollit europian. Ai iu bashkua klubit anglez në vitin 2020 nga Wolves, për një shumë prej 41 milionë paundësh, duke regjistruar 182 ndeshje, 65 gola dhe 26 asiste. Së fundmi, ishte pjesë kyçe e skuadrës që fitoi Premier League-n në sezonin 2024–25.

Vetëm pak ditë më parë, më 22 qershor, Jota ishte martuar me partneren e tij Rute Cardoso, me të cilën kishte ndërtuar një familje me tre fëmijë. Postimi i dasmës së tyre në rrjetet sociale, me mbishkrimin “Po për gjithë jetën”, sot lexohet me dhimbje dhe trishtim të thellë.

Klubi i Liverpoolit ka reaguar menjëherë pas lajmit, duke u shprehur “i shkatërruar nga humbja e një prej figurave më të dashura të ekipit.” Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga e gjithë bota e futbollit, përfshirë klube, lojtarë dhe figura publike.