Trajneri i Kombëtares Sylvinho, publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy takime, ku risia e vetme ishte Indrit Tuci. Në konferencën përpara mediave, braziliani shpjegoi përzgjedhjet e tij dhe objektivat e Kombëtares.
“Sa më shumë të luajë Medon Berisha, aq më mirë për ne. Më pëlqen shumë si lojtar. E kemi marrë në Europian për të fituar eksperiencën dhe të ndihmojë Kombëtaren. Ka disa limite me ndryshimet gjatë ndeshjeve, madje edhe në miqësore. Është në një moment të mirë me klubin e tij. Gripshi më pëlqeu me Jordaninë. Është inteligjent dhe ka mundësi për të shënuar. Ai ka 15 ditë që është me pushime. Ne na duhen lojtarë që momentalisht po stërviten. Nuk kam kohë të mendojmë për grumbullimet e tjera, por vetëm për ndeshjet me Andorrën e Anglinë.
Rikthimi i Ismajlit, jam tepër i lumtur. Kishte një dëmtim, por tashmë e ka lënë pas. Sa i përket Tucit, është një lojtar që ka luajtur dy ndeshje në Nations League. Pati një transferim, por humbi kohë sepse ishte i dëmtuar. Është një lojtar që natyralisht është në rolin e trekuartistit, por transformohet në një sulmues qendre. Është një opsion ekstra sepse të jep mundësi të shënojë gol.
Kriteri ka qenë gjithmonë i tillë. Nuk grumbullojmë lojtarë që mund të luajë 100% me ekipet e tyre. Dua të bëj një paralelizëm me Rey Manajn. Ai humbi një penallti kundër Serbisë dhe të gjithë thanë që nuk duhej grumbulluar më. Pas 97 ditësh u kthye në hero. Ai është një lojtar shumë i mirë. Bajrami nuk luan por është golashënuesi më i mirë që kemi. Duhet të fusim lojtarë që e përfaqësojnë më së miri fanellën e Shqipërisë. Këta lojtarë na japin besim. Ky ka qenë kriteri. Kemi bërë disa ndryshime gjatë këtyre tre vite.
Ne na duhen lojtarë të cilët shënojnë gol dhe kanë kapacitet për të provuar në fazën ofensive. Broja për shembull që e ka bërë këtë. Asani gjithashtu. Muja ka më shumë karakteristika të një mesfushori. Ne na duhen lojtarë që shënojnë gol dhe ka karakteristika sulmuese. Broja dhe Uzuni i kanë këto karakteristika”, u shpreh Sylvinho.
Shqipëria do të udhëtojë në Andorra më 13 nëntor dhe pas tre ditësh do të presë Anglinë në Tirana, me të dyja sfidat që do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.




