Manchester United vijon mos jetë në formën e duhur, kjo pasi ‘Djajtë e Kuq’ kanë pësuar humbjen e tretë këtë fillim sezoni. Për raundin e gjashtë në Premier League, Brentford doli fitues me rezultatin 3-1 duke ‘zhytur’ në krizë Manchester United.
Ndeshja u zhbllokua shpejt nga Brentford, me Igor Thiago që kaloi në epërsi vendasit pas tetë minutave lojë. Asist nga veterani Henderson. Në minutën e 20-të sërish Igor Thiago shënoi golin e dytë për vendasit duke bërë që tifozët të festonin.
Gjashtë minuta më vonë, slloveni Benjamin Sesko shënoi golin e parë me fanellën e Manchester United, por nuk ishte e thënë që miqtë të dilnin me pikë. Bruno Fernandes, kapiteni i Man. United gaboi nga 11 metërshi për herë të dytë këtë sezon, duke shpërdoruar mundësinë që rezultati të barazohej në minutën e 76-të.
Në fund, pas një gabimi në pasim të Mainoo, Brentford kundërsulmoi dhe pasimi final i Yarmolyuk u shfrytëzua nga Jensen, që me vetëm gjashtë minuta në fushë shënoi një gol fantastik nga jashtë zone në shtesën e gjashtë.
Pas eliminimit nga Kupa e Ligës prej Grimsby, Manchester United e sheh veten në krizë edhe në kampionat, teksa pas gjashtë raundesh ka tre humbje, dy fitore dhe një barazim, për vendin e 13-të në kuotën e shtatë pikëve. Po me shtatë pikë Brentford merr vendin e 11-të.