Një ndeshje futbolli, por që vlen shumë më tepër. Shqipëria do të luajë në Maqedoni për kualifikueset e Kupës së Botës, por luhet për të gjitha trojet dhe shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë.
Sfida në Strumicë rikthen në kujtesë atë që ka ndodhur në Prilep në vitin 2011, në një miqësore që tifozët e shfrytëzuan për të hedhur thirrje rraciste ndaj shqiptarëve. Odise Roshi e kujton mirë atë moment, por shpreson që tensioni të mos përsëritet, ndërsa vlerëson trasfertën e së martës.
“E mbaj mënd ndeshjen në Prilep, para 5-6 vjetësh: Atmosfera nuk ishte e mirë dhe kishte thirrje rraciste. Por, këtë herë shpresoj që atmosfera do të jetë e qetë dhe ndeshja “fair play”. Me Maqedoninë është e vështirë, ata kanë elementë cilësor në skuadër. I njoh disa lojtarë të tyre. Morën 3 pikë shumë të rëndësishme ndaj Izraelit dhe do të jetë një ndeshje shumë agresive.
Natyrshëm si në çdo ndeshje, kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për fitore, por në llogaritë për vendin e tretë në grupin kualifikues edhe barazimi shërben.
“Për çdo ekip më e mira është tre pikëshi, por kur del me pikë nga ndeshjet jashtë fushë është gjithsesi pozitive.
Roshi analizoi edhe suksesin ndaj Lihtenshtajnit, ku realizoi golin që i hapi rrugën fitores, ndërsa foli edhe rreth faktit që pavarësisht vështirësive në klub, mbetet një element tejet i rëndësishëm i Kombëtares”
“Disa e mendonin si ndeshje të lehtë, por sot të gjithë dinë të luajnë futboll, siç na ka ndodhur me Luksemburgun, – tha Roshi. – Në pjesën e parë luajtëm mirë, por e kishim më të vështirë dhe më pas shënuam. Në klub e kalova pa probleme fazën përgatitore, luajta pak në fillim të kampionatit, por prej një problemi në gju qëndrova tre javë jashtë.
Nuk ka skuadra të lehta. E mendoja ndonjëherë si me Luksemburgun, ku shënova golin e parë, por pastaj pësuam dy gola. Megjtihatë kisha besim te fitorja.
I ngacmuar për diferencat ndërmjet De Biasit dhe pasardhësit të tij në stol, Christian Panuçit, mesfushori fierak u përgjigj me nota humori.
‘Mua më pëlqen loja e të dyve, sepse luajnë me krahët dhe për rolin tim është shumë e rëndësishme. Do të thoja që De Biasi është pak më liberal”, – shtoi lojtari kuqezi.
3 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)