Menaxheri
Flet personi që i ndryshoi jetën mbrojtësit: Një hap para, që kur e kaluan djathtas
Një nga personat më të rëndësishëm për karrierën e Elseid Hysajt është padyshim menaxheri i tij, Marko Piçioli. Disa vite më parë, ai arriti t’i siguronte Hysajt 14-vjeçar, djalit të një punëtori sezonal në Itali, një vend në akademinë e Empolit, ndërsa tani sheh i lumtur se si fëmija që ka ndihmuar asokohe, është kthyer në një lojtar që po bën emër në elitën e futbollit italian. Piçioli mendon se shpërthimi i futbollistit te Napoli është meritë sidomos e aktivizimit të lojtarit në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku ai ka qenë thuajse i pagabueshëm.
“Qëkur ndërroi pozicion, ai bëri hapin para”, shpjegoi menaxheri për “Tuttomercatoweb”. “Edhe pse mund ta bëjë mirë, të luajë në krahun e majtë është një përshtatje për të. Në krahun e djathtë luan në mënyrë natyrale. U shfaq mirë që në Europa League, pastaj fitoi më shumë besim në vetvete. Luan në një qytet të rëndësishëm, duke filluar në këtë mënyrë kishte trysni ndaj tij. Por në krahun e djathtë u rrit, fitoi besim. Ai është një lojtar i rëndësishëm, e ka treguar jo vetëm kundër Juventusit, por edhe përballë Lacios”, ishte opinioni i menaxherit.
Deri ku mund të arrijë Hysaj, i cili që në moshën 21-vjeçare vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë në Itali, në kampionatin që cilësohet si “shkolla” e mbrojtjes? “Ai kishte një impakt pozitiv, në një qytet të rëndësishëm. Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, duke u rritur përsëri. Ai është një djalosh i jashtëzakonshëm, një profesionist që punon në fushë, që nuk kënaqet kurrë dhe që mundohet gjithmonë që të përmirësohet. Për moshën që ka, mund të arrijë në nivele të rëndësishme”, ishte parashikimi i Piçiolit.