Tirana dhe Partizani mbrojnë kreun me fitore bindëse
Ermal Kuka
Faza e dytë e Kategorisë Superiore ka filluar me fitoren e katër skuadrave që deri tani janë përvijuar si pretendente për titullin kampion në këtë sezon, Partizani, Tirana, Kukësi dhe Skënderbeu kanë gjetur të gjithë fitoren në këtë javë, ndërsa hapin e tyre nuk e ka mbajtur dot Flamurtari, i cili është mundur në Durrës nga Teuta vendase dhe që tani është shumë i shkëputur nga kreu i klasifikimit.
Vendin e parë pas 10 javësh vazhdojnë ta ndajnë Tirana dhe Partizani, të ndara mes tyre vetëm nga golavarazhi. Tirana ka fituar dje me rezultatin 3-0 në Fier përballë Apolonisë vendase, duke dalë me tri pikët nga një fushë e cila në të kaluarën ka rezultuar e vështirë për ekipe të tjera pretendente. Kryeqytetasit përfituan nga goli i shpejtë i shënuar që në minutën e dytë me Ndikumanan, pasi kështu ishin më të qetë në administrimin e lojës. Apolonia rezistoi vetëm në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa në të dytën u dorëzua para dominimit të ekipit kryeqytetas, që shënoi edhe dy herë të tjera me Bakajn dhe Muçën për të blinduar vendin e parë.
Bardheblutë ndiqen paralelisht nga rivalët e tyre më të zjarrtë të Partizanit, skuadër e cila po shkëlqen më shumë falë paraqitjeve mbresëlënëse në mbrojtje, pasi me suksesin e djeshëm 2-0 ndaj Laçit, regjistroi ndeshjen e 8-të radhazi pa pësuar gol. Të kuqtë kanë administruar mirë ndeshjen në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, të ndihmuar edhe nga disa pakujdesi të portierit mik, Vujadinoviç, kanë arritur të sigurojnë tri pikët. Fillimisht ishte Vila që përfitoi nga një kontroll i gabuar i malazezit për të gjetur rrjetën e më pas ishte Mazrekaj që dyfishoi shifrat me një 11-metërsh të shkaktuar po nga gardiani i kurbinasve. Këto episode ishin ato që vendosën sfidën ndaj një prej skuadrave më në formë të kampionatit dhe mbajtën Partizanin në kreun e klasifikimit.
Në vendin e tretë në renditje mbetet Kukësi, i cili dje ka mundur me rezultatin 2-1 Vllazninë. Ndonëse shkodranët kanë shënuar të parët me Markun, nënkampionët kanë përmbysur gjithçka me Pejiç dhe Zeqirin që në pjesën e parë, duke mbetur në distancë të afërt me dy skuadrat kryeqytetase që aktualisht ndajnë vendin e parë në klasifikim. Ndërkohë, Vllaznia regjistroi humbjen e katërt radhazi, duke parë t’i rishfaqet makthi i rënies nga kategoria si në sezonin e kaluar.
Hapin e kreut e ka mbajtur edhe Skënderbeu, që ka fituar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Elbasanit, në një ndeshje që nuk ka prodhuar shumë emocione. Kampionët në fuqi kanë dominuar plotësisht përballë elbasanasve të cilët gjenden në fundin e klasifikimit, por e kanë pasur të vështirë të gjenin rrugën e rrjetës, falë një ritmi shumë të ulët të lojës. Diferencën e ka bërë goli i Olainka në fillimin e pjesës së dytë, i dyti në katër ditë për sulmuesin 18-vjeçar, i cili falë dëmtimeve apo pezullimeve të titullarëve të ndryshëm, është kthyer në pikë referimi në repartin e avancuar të korçarëve.
Pretendentja që tashmë duket se e ka humbur këtë status, Flamurtari, është ndalur në Durrës, e mposhtur 1-0 nga Teuta vendase. Skuadra vlonjate, pavarësisht përforcimeve të shumta në merkaton e verës, e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës ndonëse krijon raste të shumta dhe një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe dje, në atë që ishte humbja e dytë radhazi në kampionat. Teuta ka gjetur rrugën e rrjetës shumë shpejt me Rafael, e më pas është tërhequr në mbrojtje të rezultatit, duke shfrytëzuar pasaktësinë e sulmuesve kundërshtarë dhe formën e shkëlqyer të portierit Rizvani, i cili ka mbajtur të paprekur katërkëndorin e tij me ndërhyrje vendimtare ndaj gjuajtjeve të Gelashvilit, Abilaliajt, Likës e Muzakës. Suksesi largoi Teutën nga pozicionet e rrezikshme të fundit të tabelës së klasifikimit, ndërsa sheh Flamurtarin që tani shumë larg objektivave të sezonit, të filluar në ndjekje të titullit kampion.
Kategoria Superiore
Java 10 / Rezultatet
Kukësi-Vllaznia 2-1
12′ Pejiç, 29′ Zeqiri / 6′ Marku
Skënderbeu-Elbasani 1-0
51′ Olainka
Apolonia-Tirana 0-3
2′ Ndikumana, 65′ Bakaj, 78′ Muça
Partizani-Laçi 2-0
47′ Vila, 53′ (p) Mazrekaj
Teuta-Flamurtari 1-0
11′ Rafael
Renditja
Skuadra Nd. P.
Tirana 10 21
Partizani 10 21
Kukësi 10 19
Skënderbeu 10 18
Laçi 10 16
Flamurtari 10 13
Teuta 10 10
Vllaznia 10 8
Apolonia 10 7
Elbasani 10 3