Fitorja ndaj SHBA nuk mjaftoi për Turqi, e cila u eliminua nga FIFA World Cup pas humbjeve në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella mbylli aventurën në turne me suksesin 3-2 ndaj amerikanëve, por pa mundur të shmangë eliminimin e hershëm, duke zhgënjyer pritshmëritë për një ekip që konsiderohej plot talent.
Mes lojtarëve më të komentuar të përfaqësueses turke ishin Hakan Çalhanoğlu, Zeki Çelik, Arda Güler dhe Kenan Yıldız.
Pikërisht për këtë të fundit ka ardhur edhe një reagim nga Juventus, skuadra ku aktivizohet sulmuesi 21-vjeçar. Klubi italian publikoi një mesazh mbështetës në rrjetet sociale për të inkurajuar lojtarin pas eliminimit.
“Rrugëtimi në Botëror përfundoi, Kenan. Tani është momenti të kthehesh në shtëpi dhe të shohësh përpara. Mbaje kokën lart, ashtu siç ke bërë gjithmonë”, shkroi Juventusi në postimin dedikuar futbollistit turk.
Mesazhi i klubit bardhezi është pritur pozitivisht nga tifozët, të cilët kanë vlerësuar mbështetjen për talentin e ri pas përfundimit të aventurës së Turqisë në Botëror.
