Real Madrid ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”, e cila do të zhvillohet të hënën në Teatrin ‘Châtelet’ të Parisit. Ky është viti i dytë radhazi që klubi madrilen vendos ta bojkotojë eventin, pas polemikave të edicionit të kaluar.
Në listën e të nominuarve ndodhet edhe Kylian Mbappe, por sulmuesi francez ka konfirmuar se nuk do të jetë i pranishëm në sallë. Duke folur pas dopietës në Champions League, ai pranoi se nuk e sheh veten si fitues për këtë vit dhe do ta ndjekë ceremoninë nga shtëpia.
“Për të fituar ‘Topin e Artë’ duhet të fitosh trofe. Unë duhet të ndihmoj klubin tim të fitojë tituj dhe më pas do të shohim. Do të jem i lumtur nëse Dembele e fiton, sepse është miku im dhe e kam mbështetur gjithmonë. Do ta ndjek në televizion dhe shpresoj që ai ta marrë çmimin”, u shpreh Mbappe.
As dy yje të tjerë të Realit të nominuar, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, nuk do të udhëtojnë drejt Parisit.
Mbappe e mbylli sezonin e kaluar me shifra të jashtëzakonshme, 44 gola në 59 ndeshje, por mungesa e trofeve madhorë me Real Madridin ka ndikuar që ai të mos shihet si favorit. Gjithsesi, nisja e mirë e këtij sezoni e vendos atë mes pretendentëve seriozë për edicionin e ardhshëm të çmimit më prestigjioz individual në futboll.