‘Ligji Vinicius’ apo ‘Rregulli Prestianni’ quajeni si të doni, por kjo normë nuk do të zbatohet as në Ligën e Kampioneve dhe as në kompeticionet e tjera të UEFA. Qeveria e futbollit evropian e ka konfirmuar këtë duke nxjerrë sërish në dritë kontrastet mes saj dhe FIFA përsa iu përket çështjeve me arbitrimin me rëndësi si kjo.

Kështu, në kompeticionet e UEFA, futbollistët që do të mbulojnë gojën teksa debatojnë me kundërshtarët nuk do të ndëshkohen me karton të kuq. Çështja e mbulimit të gojës nga ana e futbollistëve mori rëndësi në muajin shkurt kur sulmuesi i Benfica, Gianluca Prestianni mbuloi gojën me fanellë teksa fliste me Vinicius gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit. Kjo temë u diskutua në asamblenë e IFAB dhe FIFA krijoi rregullin për ndëshkimin me karton të kuq të lojtarëve që bëjnë një veprim të tillë.

UEFA ishte ajo që e kundërshtoi më shumë këtë rregull gjatë bisedimeve dhe në votimet duke thënë se minonte lirinë e shprehjes së futbollistëve. Në Botërorin e këtij viti, paraguajani Miguel Almiron u bë viktima e parë e këtij rregulli në ndeshjen me Turqinë në fazën e grupeve. Më pas ishte mbrojtësi i Arsenalit Piero Hincapie që e pësoi në ndeshjen mes Ekuadorit dhe Meksikës. Këto imazhe nuk do të shihen në Ligën e Kampioneve dhe kompeticionet e tjera të UEFA, sepse kjo normë nuk do të aplikohet.