Conor McGregor ka konfirmuar rikthimin e tij pas pesë vitesh mungesë, dhe nuk bëhet fjalë për një rikthim dosido, pasi luftëtari irlandez do të ngjitet në ring në eventin special të UFC-së që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, në qershor të vitit 2026, për nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.

Në një intervistë për “Fox News”, McGregor ndër të tjera deklaroi:

 “Marrëveshja është nënshkruar, e mbyllur dhe e dorëzuar. Do të ndeshem në Shtëpinë e Bardhë”. Pas dëmtimit të rëndë në këmbë në vitin 2021 kundër Dustin Poirier, shumëkush e mendonte të tërhequr. Megjithatë, McGregor është kthyer seriozisht në stërvitje, ka braktisur jetën e natës dhe ka premtuar një përgatitje intensive 6-mujore, larg syve të publikut. Rivali më i mundshëm është Michael Chandler, me të cilin ishte parashikuar të ndeshej që më parë.

Një tjetër opsion është Nate Diaz, por ai aktualisht nuk është pjesë e UFC-së. Sa i përket pagesës së McGregorit për këtë event, ajo mbetet një mister. Edhe pse është UFC-ja që organizon ngjarjen, vetë irlandezi zbuloi disa ditë më parë se është duke negociuar drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara. “Dua 100 milionë dollarë dhe 100 viza ‘Golden’ për familjarët dhe miqtë e mi. Jam shumë i emocionuar për t’u kthyer dhe për të argëtuar botën sërish. Nuk po negocioj me UFC-në si zakonisht, po negocioj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte shprehur 37-vjeçari nga Dublini.