Lionel Messi ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja e Argjentinës. Pas më shumë se dy dekadash me fanellën “Albiceleste”, ylli argjentinas ka konfirmuar se kapitulli i tij me përfaqësuesen ka ardhur drejt fundit. Messi ka bërë të ditur vendimin përmes një mesazhi emocional, ku thekson se kjo ka qenë një zgjedhje e dhimbshme, por që sipas tij vjen në momentin e duhur.

Kapiteni i Argjentinës thekson se gjatë gjithë karrierës së tij me kombëtaren ka dhënë gjithçka për fanellën e vendit të tij, jo vetëm gjatë viteve të fundit, kur Argjentina arriti sukseset më të mëdha, por edhe në periudhat më të vështira. Ylli argjentinas thekson gjithashtu se një brez i ri lojtarësh po vjen dhe meriton të ketë hapësirën e tij në përfaqësuese. Messi ka falënderuar tifozët argjentinas për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë 20 viteve të tij me Kombëtaren. Ai ka pasur gjithashtu një falënderim të veçantë për familjen, trajnerët, shokët e skuadrës dhe drejtuesit me të cilët ka bashkëpunuar gjatë këtij rrugëtimi.

“Pas gjithë kësaj kohe që nga finalja dhe pasi e kam menduar shumë, dua t’ju njoftoj të gjithëve se po tërhiqem nga Kombëtarja Ka qenë një vendim që më ka dhembur dhe ende më dhemb thellë brenda meje, por e kuptoj se ky është momenti i duhur. Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në këto vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe më parë. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë lumturi dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit.

Nuk ka mbetur shumë kohë dhe kapituj të ndryshëm po mbyllen. Ky është një kapitull që më dhemb shumë. E dua, e kam dashur dhe do ta dua gjithmonë të qenit pjesë e Kombëtares. Kam dhënë gjithçka që kisha dhe nuk kam më shumë për të dhënë. Ka edhe shumë lojtarë të rinj dhe të talentuar që po vijnë dhe që e meritojnë të jenë këtu. Tani do të jem një prej jush. Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 viteve. Do të më mungojë t’ju dëgjoj nga brenda. Tani do të jem një prej jush, gjithmonë duke mbështetur nga jashtë, në momentet e mira dhe akoma më shumë në ato të këqija.”- shkruan Mesi.

View this post on Instagram

A post shared by Leo Messi (@leomessi)