Përfaqësuesja e Kosovës mbylli eliminatoret e Botërorit me një rekord historik, duke u kualifikuar për në fazën e Play-off-it të Botërorit të vitit të ardhshëm. Ndeshja e fundit e Dardanëve ishte ndaj Zvicrës në Prishtinë e cila përfundoi me shifrat 1-1.

Gjatë kësaj ndeshjeje u dëgjuan disa vërshëllima ndaj kapitenit të helvetëve, shqiptarit Granit Xhaka, një gjë që ndodhte sa herë ai kapte topin.

Pas përfundimit të ndeshjes, Xhaka në deklaratën e tij nuk mund t’a linte pa përmendur këtë fakt duke theksuar se nuk e priste një gjë të tillë në vendin e tij.

“Jam i befasuar që më vërshëllyen. Më lënduan, por më duhet ta pranoj atë. Mundohem të përqendrohem vetëm te loja, për fat të keq është pjesë e lojës. Gjithnjë kam pasur përkrahjen e tifozëve të Zvicrës, pavarësisht nëse kemi luajtur në shtëpi apo në udhëtim,” deklaroi Xhaka i cili më pas shtoi:

“Të gjithë që ishin këtu mund të jenë krenarë. Jemi kualifikuar për ngjarje të mëdha për herë të tetë radhazi. Ishte e rëndësishme për ne që të mos binim nën presionin e ekipit të Kosovës”.

“Nga ana psikologjike nuk është e lehtë të zhvillosh një ndeshje të tillë kur e di se edhe mund të humbasësh gjithçka edhe pse 6 gola ishin shumë që ti pësonim ne. Dominuam në pjesën e parë deri sa arritëm të shënonim në fillimin e pjesës së dytë, më pas Kosova e shtoi presionin dhe arriti të na barazojë. Në përgjithësi kishim një fushatë eliminatore shumë të mirë,” përfundoi Xhaka.