Familja e Michael Schumacher vazhdon të ruajë me fanatizëm privatësinë e legjendës së Formula 1, por deklaratat e fundit të bashkëshortes së tij, Corinna Schumacher, kanë zbuluar disa detaje nga jeta e tyre pas aksidentit tragjik që ndryshoi gjithçka.

Në një dokumentar kushtuar shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Corinna ka folur për vështirësitë me të cilat familja është përballur që prej 29 dhjetorit 2013, kur Schumacher pësoi një aksident të rëndë me ski në Alpet franceze.

“Thjesht ishte fat i keq. I gjithë fati i keq që një person mund të ketë në jetë”, është shprehur Corinna duke kujtuar momentin që ndryshoi përgjithmonë jetën e familjes së saj.

Ajo ka treguar se mungesa e Michael ndihet çdo ditë, por se prania e tij vazhdon të jetë një burim force për familjen.

“Më mungon Michael çdo ditë. Por nuk jam vetëm unë. Fëmijëve tanë, familjes sonë dhe babait të tij u mungon gjithashtu. E megjithatë Michael është këtu. Ai është ndryshe, por është këtu. Dhe kjo na jep forcë”, tha ajo.

Dokumentari sjell gjithashtu kujtime nga jeta private e ish-pilotit të Ferrarit dhe Mercedesit, duke treguar një anë tjetër të Schumacher, larg imazhit të pilotit të përqendruar dhe të ftohtë që tifozët shihnin në pistë.

Corinna ka rrëfyer se Michael ishte një person shumë i dashur dhe plot humor në jetën e përditshme.

“Në festa, ai ishte gjithmonë i pari që vinte dhe i fundit që largohej. Ne qeshnim shumë. Ai nuk kishte zë për të kënduar, por gjithmonë këndonte ‘My Way’, sepse i dinte të gjitha fjalët”, kujtoi ajo.

Pavarësisht interesimit të madh të publikut, familja Schumacher ka ruajtur një heshtje të plotë për gjendjen shëndetësore të Michael që prej aksidentit.

Ndër vite kanë qarkulluar vetëm raportime dhe spekulime të pakonfirmuara, ndërsa informacionet zyrtare kanë qenë shumë të kufizuara.

Ajo që dihet është se ish-kampioni i botës vazhdon të marrë kujdes të specializuar dhe terapi fizike për të ruajtur gjendjen e tij. Sipas raportimeve ndër vite, ai merr frymë vetë dhe ndjek trajtime të vazhdueshme rehabilitimi, ndërsa familja vazhdon të kërkojë respektimin e privatësisë së tij.

Top Channel