Mbyllja e merkatos së verës ka sjellë një situatë të favorshme për Armando Brojën, i cili pritet të ketë më shumë hapësira në repartin ofensiv të Bërnlit gjatë muajve të ardhshëm.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdon aventurën në Championship, por zhvillimet e orëve të fundit të merkatos kanë ndryshuar ndjeshëm konkurrencën në sulmin e skuadrës së tij.
Bërnli vendosi të largonte Zian Fleming, një prej alternativave kryesore të repartit ofensiv, duke e transferuar te Ipsuiç. Drejtuesit e klubit nuk ndërhynë më pas në merkato për të sjellë një tjetër qendërsulmues, duke zgjedhur të vazhdojnë pjesën e parë të sezonit me Brojën dhe Zeki Amdunin si opsionet kryesore për rolin e numrit 9.
Ky vendim mund të shndërrohet në një mundësi të rëndësishme për 24-vjeçarin shqiptar. Me më pak konkurrencë në repart, Broja pritet të ketë më shumë shanse për të luajtur dhe për të fituar vazhdimësi, diçka që i ka munguar gjatë sezoneve të fundit.
Gjithçka do të varet edhe nga gjendja e tij fizike. Dëmtimet dhe mungesa e ritmit kanë ndikuar ndjeshëm në ecurinë e sulmuesit në vitet e fundit, duke e penguar të shfaqë potencialin që tregoi në fillimet e karrierës në futbollin anglez.
Nëse arrin të qëndrojë larg problemeve fizike, muajt deri në hapjen e merkatos së janarit mund të jenë një mundësi e artë për Brojën. Minutat e rregullta dhe një rol më i rëndësishëm te Bërnli mund ta ndihmojnë sulmuesin kuqezi të rigjejë formën dhe besimin që i kanë munguar në sezonet e fundit.
