Simone Inzaghi nuk është më trajneri i Interit dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi italian.

Tekniku italian u ka komunikuar sot drejtuesve se nuk do të vazhdojë punën, pas humbjes turpëruese në finalen e Champions League kundër PSG, me rezultatin 5 me 0.

Inzaghi ka vendosur t’i japë lamtumirën zikaltërve, për të vazhduar karrierën e tij larg Italisë, më saktësisht në Arabinë Saudite, nga ku ka marrë një ofertë marramendëse nga klubi i Al Hilal. Oferta në fakt i kishte mbërritur që para një muaji, por Inzaghi kishte shtyrë gjithçka sa i përket vendimmarrjes duke pritur finalen e Ligës së Kampioneve.

Sot, ai është takuar me drejtuesit e klubit zikaltër në ambientet e klubit dhe sipas mediave italiane, palët nuk kanë zgjatur shumë në diskutime që të arrijnë në shtrëngimin e duarve për të mbyllur marrëveshjen ekzistuese me mirëkuptim, duke i hapur rrugë largimit të trajnerit.

Disfata e thellë me shifrat 5-0 në finalen e Ligës së Kampioneve dhe nevoja për të nisur dukshëm një cikël me emra të rinj, ka bërë që edhe drejtuesit e Interit të mos i bënin pengesë trajnerit në zgjedhjen e tij.

Tekniku do të udhëtojë që këtë fundjavë drejt Majemit, ku është grumbullimi i skuadrës së Al Hilal, e cila do të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve në SHBA.