Rruga e Mohamed Ouahbit drejt Kupës së Botës 2026 nuk i ngjan asaj të trajnerëve të zakonshëm. Ai nuk ishte futbollist profesionist dhe nuk e ndërtoi emrin duke fituar trofe në elitën e futbollit. Për më shumë se gjysmën e jetës së tij, 49-vjeçari punoi si mësues i edukimit fizik në një shkollë në Bruksel, ku u jepte mësim fëmijëve nga gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç.
Pas përfundimit të orëve të mësimit, ai zëvendësonte klasën me fushën e stërvitjes, duke ndjekur pasionin e tij më të madh, futbollin. Pikërisht aty nisi historia e “Trajnerit Momo”, njeriut që sot drejton Marokun dhe përgatitet për sfidën e madhe ndaj Francës në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.
I lindur në Bruksel në një familje me origjinë marokene, Ouahbi u dashurua me futbollin që në fëmijëri. Kupa e Botës 1986, ku Maroku u bë skuadra e parë afrikane që kaloi fazën e grupeve, e lidhi përgjithmonë emocionalisht me “Luanët e Atlasit”, edhe pse ai u rrit dhe ndërtoi karrierën në Belgjikë.
Në moshën 21-vjeçare, Ouahbi nisi karrierën si trajner te Maccabi Brussels. Hapi vendimtar erdhi në vitin 2003, kur Anderlechti i besoi drejtimin e ekipit U9 në akademinë e famshme Neerpede. Ai kaloi plot 17 vite në akademinë e klubit belg, duke u ngjitur gradualisht në hierarki dhe duke u shndërruar në një nga trajnerët më të vlerësuar të të rinjve. Gjatë kësaj periudhe, në disa raste ishte edhe ndihmës i ekipit të parë, duke punuar krah për krah me trajnerin shqiptar, Besnik Hasi.
Shumë prej yjeve të futbollit belg kanë kaluar nëpër duart e tij. Romelu Lukaku, Youri Tielemans, Jeremy Doku dhe Dodi Lukebakio janë vetëm disa nga emrat që u zhvilluan nën drejtimin e Ouahbit. Një nga historitë më interesante lidhet me Remco Evenepoelin. Përpara se të bëhej një nga çiklistët më të mirë në botë, ai ishte pjesë e akademisë së Anderlechtit.
“E kishim Remcon te Anderlechti deri në nivelin U19”, kujton Ouahbi.
Për trajnerin maroken, arsimi ka qenë gjithmonë po aq i rëndësishëm sa futbolli.
“Kur punoja në akademinë e Anderlechtit, vumë re se lojtarët që arrinin te ekipi i parë ishin zakonisht ata që kishin përfunduar shkollën e mesme. Futbolli modern kërkon disiplinë dhe arsimi ndihmon shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Kjo filozofi, që e kishte zbatuar fillimisht në klasë, u bë më pas pjesë e metodës së tij si trajner. Pas një eksperience në Arabinë Saudite si pjesë e stafit teknik të Al-Fateh, Ouahbi mori telefonatën që i ndryshoi karrierën. Në vitin 2022, Federata Marokene e Futbollit i besoi drejtimin e kombëtares U20. Presidenti Fouzi Lekjaa kishte ndjekur prej kohësh punën e tij në Belgjikë dhe besonte se ishte njeriu ideal për projektin afatgjatë të federatës.
Rezultatet nuk vonuan. Brenda tre vitesh, Ouahbi ndërtoi një skuadër konkurruese dhe me identitet të qartë, duke e udhëhequr Marokun drejt triumfit në Kupën e Botës U20, pas fitores ndaj Argjentinës në finale. Ky sukses bëri që pas largimit të Walid Regraguit, federata t’ia besonte drejtimin e kombëtares së parë. Emërimi i tij u prit me skepticizëm. Ouahbi nuk kishte drejtuar më parë një kombëtare të të rriturve dhe ishte relativisht i panjohur për publikun e gjerë.
Megjithatë, rezultatet e kanë justifikuar plotësisht besimin e federatës. Me një moshë mesatare prej vetëm 26.4 vjeç, Maroku është një nga skuadrat më të reja dhe më mbresëlënëse të këtij edicioni të Kupës së Botës.
“Lojtarët e rinj shpesh kritikohen se nuk dëgjojnë më të vjetrit, por te kjo skuadër ndodh e kundërta. Ata respektojnë stafin teknik dhe lojtarët me përvojë. Ekziston një kulturë e madhe respekti reciprok”, ka theksuar Ouahbi.
Tashmë, “Trajneri Momo” përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij. Përballë Francës, ai synon të vazhdojë ëndrrën e Marokut dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik me “Luanët e Atlasit”.
