Që nuk do të ishte spektakolar, kjo u kuptua me zgjedhjen për të ulur në pankinë Masimiliano Alegrin. Por në futboll rëndësi kanë pikët dhe Milan ka kaluar çdo pritshmëri në këtë sezon të Serie A, ndërsa mbetet bindshëm në garën për titullin kampion pas fitores 3-1 në transfertën e Como.
Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje dhe falë klasit të yjeve të tyre, si Mike Maignan që bëri disa pritje shpëtimtare dhe Adrien Rabiot, autor i dy golave.
Për pjesën tjetër, ishin vendasit e drejtuar nga Cesc Fabregas, ata që dominuan sfidën në të gjithë komponentët e lojës.
Ky detaj nuk e prishi festën e Milan, që ngushton sërish në tre pikë diferencën me kryesuesit dhe rivalët e përjetshëm të Inter, në një garë për titull që për momentin duket e gjitha milaneze.
Kjo edhe për faktin se favoritët e tjerë si Napoli apo Juventus kanë humbur terren në klasifikim.
Për t’u kthyer sërish te Milan, a mund të mjaftojë vetëm cinizmi për të shkuar te titulli kampion.
Kjo mbetet për t’u parë në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa ndryshe nga rivalët, kuqezinjtë kanë edhe një tjetër detaj të rëndësishëm në krahun e tyre.
Jashtë Kupave të Europës dhe çdo kompeticioni tjetër në këtë sezon, Milan mund të menaxhojë më me lehtësi forcat dhe të fokusohet në vetëm një objektiv.
Pra, megjithë kritikat e mediave dhe pakënaqësinë e tifozëve për lojën, kuqezinjtë mund të ëndërrojnë për titullin. Në fund qëllimi justifikon mjetet.
