Milan është kthyer te fitorja pas humbjes së rëndë 3-0 të pësuar në mesjavë kundër Chelsea-t në Champions League.

Kampionët e Italisë në fuqi kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme në kampionat pasi kanë mundur 2-0 Juventus-in në javën e 9-të të Serisë A.

PREKJA ME DORE NGA VLAHOVIC – VIDEO

Ndeshja e zhvilluar në San Siro ka dhuruar shumë emocione dhe episode që pritet të shkaktojnë shumë debate në ditët në vazhdim.

Ka qenë Fikayo Tomori që ka zhbllokuar rezultatin në fundin e pjesës së parë. Një gol që është pasuar nga protestat e bardhezinjve për një faull të Theo Hernandez ndaj Cuadrado-s.

Para këtij momenti kanë qenë kuqezinjtë që kanë protestuar për një prekje të topit me dorë në zonë nga Vlahovic, por arbitri dhe VAR e kanë konsideruar gjithçka të rregullt.

Në pjesën e dytë, në minutën e 54-t, ka ardhur edhe goli i dytë për milanezët me Brahim Diaz që ka gjetur rrjetën pas një aksionit të bukur personal.

GOLI I BRAHIM DIAZ – VIDEO

Kjo fitore e ka ndihmuar Milan-in të kapë përkohësisht Napoli-n dhe Atlanta-n në kreun e renditjes, ndërsa Juventus mbetet në vendin e tetë me 13 pikë.