Tratativat


Reali refuzon formën e huazimit, ndërsa klubi amerikan e shikon si zëvendësuesin e Bekhamit


Kaka ben me dore shokeveDestinacioni i ardhshëm i Kaka mund të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi që i pëlqen shumë brazilianit dhe ku bën edhe gjysmën e pushimeve me familjen në vitet e fundit. Në fakt, sipas “As”, Los Anxhelos Galaksi kanë menduar për mesfushorin, i cili mund të zëvendësojë Bekhamin, si ikonë e madhe futbollistike dhe mediatike e klubit kalifornian. Kaka ka qenë një nga lojtarët më të pëlqyer nga tifozët gjatë turneut miqësor të Real Madridit të Murinjos në Shtetet e Bashkuara dhe imazhi i tij mund të jetë shumë fitimprurës për klubin. Në fakt, në dhjetorin e ardhshëm Bekham do të jetë në skadencë të kontratës dhe, edhe për shkak të 37 viteve mbi shpinë të futbollistit anglez, klubi e shikon Kakanë si një pasardhës ideal për këtë rol marketingu, rol çelës në Major League Soccer. Kontaktet e para për blerjen e lojtarit mësohet se janë verifikuar gjatë periudhës së turneut të fundit amerikan të Realit të Madridit, edhe falë prezencës së Florentino Perez dhe Hoze Angel Sançez në kryeqytetin e Kalifornisë, ku të dyja skuadrat kanë luajtur një miqësore më 2 gusht. Sikurse shkruan “As”, Los Anxhelos Galaksi është e gatshme të paguajë një shumë të madhe për Kaka: 27 milionë neto deri në 2015-n. Por Milani nuk duhet të qëndrojë duarkryq. Adriano Galiani po synon të kalojë problemet e momenteve të fundit, siç është bllokimi nga ana e Florentino Perez për shitjen me formulën e huazimit të Kakasë. Milani i qëndron ofertës për ta huazuar lojtarin me të drejtën për ta blerë, por Reali është treguar i padisponueshëm për këtë zgjidhje, edhe pse është i hapur për një skonto të vogël. Kontaktet mes klubeve do të vazhdojnë në ditët e ardhshme. Dhe atëherë duhet pritur takimi mes Silvio Berluskonit, Adriano Galiani e Masimiliano Alegrit të dielën në mbrëmje, pas trofeut “Berluskoni”.