Milan e sheh veten gjithnjë e më shumë në telashe në Europa League. Kuqezinjve iu duheshin 3 pikët në sfidën e radhës së kompeticionit me Ferencvaros, por skuadra e Amorim dështoi në këtë mision.
Në San Siro ishte pikërisht skuadra hungareze e cila e fitoi këtë përballje 2-0 ku protagonist ishte pikërisht Lenny Joseph, autori i të dy golave.
Ferencvaros e nisi me shumë agresivitet ndeshjen dhe në disa raste u shfaq rrezikshëm në disa momente. Për skuadrën hungareze ishte Joseph ai që i hapi më shumë telashe kuqezinjve teksa pati 3 mundësi të mira, por Torriani u shfaq në lartësinë e duhura mes shtyllave. Milani nga ana e tij pati një mundësi me Cisse në minutën e 39. Gjithsesi skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin pa gola 0-0.
Atë që nuk bëri në pjesën e parë, Joseph e bëri në fillimin e 45 minutave të dyta teksa zhbllokoi rezultatin duke i dhënë avantazhin 1-0 Ferencvarosit. Milan reagoi dhe shumë shpejt iu afrua golit të barazimit me Hutchinson, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë për shumë pak. Më pas ishte Moreira që tentoi por gjuajtja e tij u ndal nga portieri Dibusz.
Por në momentin më të mirë të Milanit, Ferencvarosi gjeti edhe golin e dytë dhe ishte sërish Joseph ai që pas një kundërsulmi ndëshkoi të besuarit e Amorim duke e çuar rezultatin në 2-0. Gjërat po shkoni në mënyrë perfekte për Ferencvaros kur në minutën e 78 e pa veten më 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Yusuf që goditi me bërryl Gila. Milani kërkoi të përfitojë nga superioriteti numerik dhe u hodh në sulm me shpresën për të ndryshuar situatën në minutat e mbetura por nuk ia doli dot. Ferencvaros e fitoi ndeshjen 2-0 dhe është në krye me 12 pikë të plota, ndërsa Milani mbetet me 3 pikë dhe është në zonën e ftohtë të eliminimit.
