Trajneri i Partizanit, Mlladen Milinkoviç, insiston se për të parë ekipin e tij në maksimum, duhet ende kohë. Duke folur para mediave, ai theksoi se skuadra kishte bërë maksimumin por duheshin korrigjuar episodet të cilat sipas tij kishin ndikuar ndeshjen me Vllazninë.
“Jemi përgatitur si çdo ndeshje tjetër, sepse në sezonin e kaluar fitoi Partizani dhe shpresoj të ndodhë përsëri. Ka shumë lojtarë të rinj në ekipin tonë dhe në ekipin e tyre, ndaj është një ndeshje e re. Kështu e shoh unë, çdo ndeshje është e rëndësishme kur ke objektiva, duhet të shohësh në mënyrën që në secilën prej tyre të marrësh tre pikët. Nëse sheh rezultatin e javës së kaluar, ata vijnë nga një fitore dhe tre pikët ndaj Dinamos. Nëse e sheh kështu, bashkë me humbjen tonë, ndoshta janë psikologjikisht më mirë. Por në futboll çdo ndeshje e re të jep mundësinë të anulosh atë të mëparshmen. Uroj që të fitojmë nesër, askush nuk do të flasë më për humbjen me Vllazninë, por do flasë për ndeshjen e mirë dhe pikët me Elbasanin. Padyshim që nuk më pëlqen që humbëm dhe mendoj që morëm mësimin por për ne është më e rëndësishme ndeshja e nesërme”.
Cili është potenciali i ekipit?
Dua të jem shumë i sinqertë, nuk besoj se ndokush e di fuqinë e vërtetë të ekipit tonë. Pasi ka shumë lojtarë të rinj. Gjithashtu duam të ndryshojmë diçka në lojën tonë pasi kemi profile të reja në krahasim me vitin e kaluar. Të jem i sinqertë ndonjëherë në stërvitje duket shumë mirë, por ka gjithashtu momente ku nuk jemi shumë të kënaqur si luajmë. Dhe kjo do të thotë që na duhet të punojmë më shumë dhe të përgatitim të gjithë lojtarët që afruam gjatë verës që të jenë në formën më të mirë. Kjo është ajo që më jep shpresë që do të jemi më mirë se në të kaluarën, sepse jam komplet i sigurt se lojtarët e mi nuk janë as në 70% të asaj që mund të bëjnë. Unë do të isha i lumtur nëse do të shkonim javë pas jave duke bërë progres, pasi shumë gjëra ndodhën. Ne humbëm Dumbia në ndeshjen e fundit që e kishim llogaritur si një zgjidhje në ekip, por mendoj se e ardhmja do të jetë e mirë. Duam që të jetë një kohë të shkurtër, por nuk mund të themi që në një muaj do të jemi në maksimum.
Ndryshime formacioni?
Do ta shohim, nëse analizojmë ndeshjen, e kam thënë që Vllaznia krijoi më shumë raste për golat, por në futboll disa gjëra të vogla nuk i kuptojmë në atë momente, por pas ndeshjes e kupton që detajet e vogla kanë përcaktuar rrjedhën e saj. Kur e analizova ndeshjen, fola me lojtarët, sipas meje qendrat e mbrojtjes ishin shumë mirë. Por nëse shohim momentet në kohë shtesë, kur Bytyçi shkaktoi penalltinë, po të mos ishte ajo, ndeshja do të përfundonte në barazim ndoshta. Kjo nuk do të thotë që nuk e pranoj që na shënuan 3 gola për 3 minuta dhe kjo është e pamundur të ndodhë për një ekip që pretendon të jetë në majë. Por gjithashtu ato gjërat e vogla mund të vendosin edhe ndeshjen e nesërme. Unë kam besim te lojtarët e mi dhe jam i sigurt që do të japin maksimumin nesër.
Dumbia nënshkroi para se të vija, kam parë disa video të tij. Por kur erdhi dhe nisi stërvitjen, e pamë që ishte një lojtar me potencial të madh. Problemi i vogël i tij është që nuk flet anglisht, por besoj se është një lloj lojtari që mund të na ndihmojnë shumë, sepse është i disiplinuar, ka teknikë, i fortë me topin. Do i duhet kohë që të përshtatet me futbollin shqiptar pasi ky kampionat është shumë i ndryshëm me ato ku ka luajtur më parë. Gjithashtu është shumë i ri, besoj se në të ardhmen do të ndihmojë Partizanin dhe një ditë mund të transferohet në një klub më të mirë.
Hjumen?
Nuk dua të bëjmë gabime dhe ndoshta është gabimi im se kur fola me Dumbia tha që është gati për 30 minuta dhe u dëmtua. Nuk dua të bëj të njëjtin gabim. Dua një lojtar që është plotësisht gati të luajë ndeshjen. Gjithashtu, jam i sigurt që kur t’i jepet mundësia do të tregojë potencialin, këto lojtarë duhet pak kohë të përshtaten, por padyshim kanë cilësi”, tha ndër të tjera Milinkoviç.