Kombëtarja shqiptare do të përballet më 31 mars me Ukraina në një ndeshje miqësore që do të zhvillohet në Estadi Ciutat de València.

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se biletat për këtë përballje janë hedhur tashmë në shitje, ndërsa çdo tifoz mund të blejë deri në katër bileta përmes platformës zyrtare online.

Sipas njoftimit, të dhënat personale të vendosura gjatë blerjes duhet të përputhen me dokumentin e identifikimit, pasi në të kundërt hyrja në stadium mund të refuzohet gjatë kontrolleve të sigurisë.

Biletat nuk janë të rimbursueshme dhe nuk mund të ndërrohen, ndërsa çdo person, pavarësisht moshës, duhet të jetë i pajisur me biletë për të ndjekur ndeshjen.

Organizatorët bëjnë me dije se portat e stadiumit do të hapen dy orë para fillimit të takimit dhe u rekomandojnë tifozëve të kontrollojnë paraprakisht sektorin dhe rreshtin për të shmangur vonesat në hyrje.