Kombëtarja shqiptare rikthehet në fushë në fund të shtatorit, ndërsa trajneri Rolando Maran po përgatit grumbullimin e radhës për një seri prej katër ndeshjesh të UEFA Nations League.

Emrat e futbollistëve që do të jenë pjesë e skuadrës për sfidat e shtatorit dhe tetorit do të bëhen publikë të shtunën, më 19 shtator. Tekniku italian do të dalë në një konferencë për mediat në orën 11:00, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Përveç prezantimit të listës, Maran pritet të shpjegojë zgjedhjet e bëra dhe të flasë për gjendjen e skuadrës përpara një periudhe intensive, gjatë së cilës Shqipëria do të zhvillojë katër takime brenda vetëm 11 ditësh.

Ndeshja e parë është programuar më 26 shtator kundër Bjellorusisë. Vetëm tri ditë më vonë, më 29 shtator, kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj San Marinos.

Programi do të vazhdojë më 3 tetor, kur Shqipëria do të udhëtojë për t’u përballur me Finlandën. Cikli i katër ndeshjeve do të mbyllet më 6 tetor, me kuqezinjtë që do të presin San Marinon për takimin e dytë mes dy kombëtareve.

Puna në terren do të nisë që të hënën. Futbollistët e thirrur nga Maran do të bashkohen me ekipin gjatë ditës, ndërsa pasdite është planifikuar edhe seanca e parë stërvitore në Shtëpinë e Futbollit.

Të katërta ndeshjet e Shqipërisë në UEFA Nations League do të transmetohen në platformën Digitalb.