Marcelo Bielsa njihet botërisht si një nga “profesorët” më obsesivë të futbollit.

Për të, çdo detaj në fushë është një e ekuacion që duhet zgjidhur përmes orëve të tëra analizash me video dhe diskutimesh taktike. Megjithatë, duket se edhe një gjeni si “El Loco” ka gjetur një kundërshtar që nuk e mposht dot: përqendrimin e kufizuar të futbollistëve modernë.

Në një deklaratë të fundit që po bën xhiron e rrjeteve sociale, trajneri i Uruguait ka zbuluar një prapaskenë sa qesharake, aq edhe shqetësuese nga dhoma e zhveshjes. Lojtarët e tij i kanë kërkuar zyrtarisht të ndalë “ligjëratat” e gjata sepse thjesht nuk mbajnë dot mendjen aty për më shumë se 10 minuta.

“Lojtarët më kërkuan të reduktoja bisedat kolektive për ndeshjet e kaluara. Unë gjithmonë kam menduar se analiza e gabimeve dhe virtyteve të asaj që u bë ishte diçka e dobishme,” u shpreh Bielsa, duke shfaqur një lloj zhgënjimi filozofik për mënyrën se si po ndryshon futbolli.

Sindroma “TikTok” pushton dhomat e zhveshjes

Ajo që Bielsa ka hasur te Uruguai nuk është një problem i izoluar, por një trend global. Në epokën e videove 15-sekondëshe në TikTok dhe Instagram, ku informacioni duhet të jetë i shpejtë dhe me ngjyra, analizat e rrepta taktike prej 45 minutash duken si leksione të mërzitshme universiteti për futbollistët e rinj.

Për një trajner që dikur kalonte netët pa gjumë duke parë kaseta VHS për të studiuar lëvizjet e sulmuesve kundërshtarë, ky është një realitet i ri e i vështirë për t’u gëlltitur.