Piloti italian Kimi Antonelli ka lënë pas incidentin e rëndë të kërcënimeve dhe ofendimeve të marra pas garës në Katar, duke u shprehur se ditët e para ishin të vështira për t’u përballuar.
“Ishte zhgënjyese. Ditën e parë mezi e menaxhova. Nuk kuptoja pse më sulmonin. Duhet bërë diçka për të rregulluar përdorimin e rrjeteve sociale,” tha ai.
Antonelli shtoi se nuk do të dorëzonte kurrë një pozicion në garë: “Po luftoja për podium dhe bëra një gabim. Lambiase erdhi të fliste me mua, dhe mora mesazhe shumë të bukura nga Verstappen dhe Norris. Ishte një gjest i madh.”
Tani fokusi i tij është te gara e Abu Dabit, e cila do të vendosë kampionatin.
“Nëse do të jem duke luftuar me një nga tre pretendentët, nuk kam frikë. Do të bëj garën time, objektivi është vendi i gjashtë në kampionat dhe vendi i dytë te konstruktorët.” Renditja në vend të gjashtë do të thoshte dalja para Lewis Hamiltonit, gjë që Antonelli e konsideron një arritje të rëndësishme: “Nuk i shoh shumë rivalët, por po, do të ishte kënaqësi e madhe.”
Sipas tij, pista e Abu Dabit mund të favorizojë Mercedesin: “Vitit të kaluar nuk kemi qenë në nivel të lartë këtu, por këtë herë jam optimist. Ka shumë kthesa të ngadalta dhe makina jonë mund të përshtatet mirë.”
Antonelli foli edhe për miken e tij Fornaroli, që së fundmi është prezantuar nga McLaren: “Shpresoj të vijë në F1 në vitin 2027. McLaren do t’i japë shumë teste dhe kilometra. Mungesa e një viti garim nuk do ta dëmtojë shumë, edhe Piastri pati të njëjtën situatë. Sigurisht që në fillim do t’i duhet të heqë pak ‘ngurtësinë’, por besoj se do të performojë mirë. Duelat në pistë janë e vetmja gjë që nuk mund t’i stërvitësh.”
Top Channel
