Anulohet Flamurtari-Bylis. Fiton Skënderbeu. Partizani-Lushnja, betejë në llucë
Moti i keq ka prishur kalendarin e rregullt të ndeshjeve të futbollit në Shqipëri. Dje duhet të luheshin dy ndeshjet e para të turit çerekfinal të Kupës së Republikës, Shkumbini-Skënderbeu dhe Flamurtari-Bylis, por vetëm ndeshja e parë është mundur të luhet, për shkak të shiut të dendur. Takimi mes Shkumbinit dhe Skënderbeut përfundoi me rezultatin e thellë 1 me 4, duke e bërë thuajse të sigurt kalimin e skuadrës korçare në gjysmëfinale. Ndërsa në Vlorë, gjyqtarët vendosën të shtyjnë takimin për një ditë tjetër, pasi terreni nuk lejonte zhvillimin e një loje normale. Edhe në Tiranë, ku luanin skuadrat kryesuese të kategorisë së parë, Partizani dhe Lushnja, terreni ishte tepër i rënduar, por ndeshja u zhvillua dhe përfundoi me humbjen e kryeqytetasve.
Peqin
Pa golashënuesin më të mirë në fushë, Pero Pejiç, Skënderbeu shkatërroi Shkumbinin 4-1 në Peqin në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, e vlefshme për Grupin A. Me një lehtësi të jashtëzakonshme, por edhe ndaj një ekipi që nuk pretendon Kupën por mbijetesën në Superiore, Skënderbeu dominoi në çdo moment djemtë e Miles me Sabino Plakun që hapi serinë e golave në minutën e 30, pas një gabimi në mbrojtjen kundërshtare. Goli i dytë vjen nga një goditje këndi në minutën e 40, kur Bici kërcen mbi të tjerët për të zhytur topin me kokë në rrjetë. Pjesa e dytë ka të njëjtën panoramë, me Skënderbeun që nuk nënvlerëson asgjë, por krijon pa fund raste. Gjithsesi janë vendasit që shkurtojnë diferencën me një gjuajtje me kokë të Llucës në 48’, me këtë të fundit që çuditërisht nuk feston për golin, por shpresave të Shkumbinit për 1 pikë në këtë sfidë i jep fund Sebino Plaku në minutën e 74-t dhe Orelesi në minutën e 77, që mbyllin 4-1 përballjen në Peqin.
Vlorë
Ndeshja tjetër e Grupit B, Flamurtari-Bylis në Vlorë u anulua për shkak të terrenit të vështirë të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Gjyqtarët e takimit dolën në fushë pak para orës zyrtare të nisjes së takimit për të provuar gjendjen e fushës, por në shumë pak vende topi kërcente e detyrimisht ata më pas vendosën anulimin e takimit.
Kategoria e parë
Dje është mbyllur edhe faza e parë e kampionatit të Kategorisë së Parë me ndeshjen e zhvilluar në “Qemal Stafa” mes Partizanit dhe Lushnjës, dy skuadrat që kryesojnë renditjen.
Në një terren tejet të rënduar, Partizani zbriti në fushën e lojës duke harruar problemet e brendshme dhe mungesën e pagave, por nuk ia doli mbanë të shmangte humbjen.
Skuadra e Lushnjës, që në goditjen e parë shënoi duke përfituar nga gabimi i portierit të Partizanit. Në pjesën e dytë të kuqtë kryeqytetas ndërruan uniformën, por fati nuk ishte me ta.
11-metërshin që gjyqtari Jemini akordoi për Partizanin e humbën, ndërkohë që në vazhdim, skuadra e Çoçllit dhe lushnjarët udhëtues thjesht u munduan të luanin një tip waterpool, por me këmbë, në pishinën gjigante me emrin “Qemal Stafa”.
Vlen për t’u përmendur se në këtë javë të fundit në të tetë ndeshjet e zhvilluara ka një numër rekord prej 24 golash.