Futbollistët e Kuraçaos kanë bërë mrekullinë, pasi siguruan për herë të parë kualifikimin në Botëror.

Shteti ishull bëhet vendi me popullsinë më të vogël, që merr pjesë ndonjëherë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit. Kuraçao është një ishull me rreth 150 mijë banorë, po aq sa qyteti ynë i Shkodrës. Si pjesë e CONCACAF(Konfederata e Futbollit të Amerikës së Veriut, Qëndrore dhe Karaibeve), tashmë ishulli është pjesë e historisë së futbollit.

Ndeshja e fundit u luajt me Xhamajkën, ndërsa vetëm fitorja u bënte punë këtyre të fundit në shtëpinë e tyre. Sfida u mbyll me barazim pa gola. Kuraçao lë pas Islandën, e cila me rreth 400 mijë banorë ishte shteti me popullsinë më të vogël ndonjëherë që siguronte më parë kualifikimin në Botëror.

Lojtarët dhe stafi i Kuraçaos shpërthyen në lot pas vërshëllimës së fundit. Xhamajka ndërkohë do i luajë mundësitë e mbetura në fazën “play off”.