Superlativat kanë mbaruar me kohë. Për Ernest Muçin janë thënë të gjitha, ndërsa ka mbetur që të krahasohet me atë që cilësohej “zjarrfikësi” i Realit të Madridit, Sergio Ramos.
Ylli kuqezi shënoi sërish në sekondat shtesë duke I dhënë ekipit fitoren, pra është “engjëlli” i minutës së fundit për Trabzonsporin, ashtu siç bënte mbrojtësi i famshëm spanjoll.
Suksesi në Koxhaelispor ishte 2-1 dhe skuadra e lojtarit të kombëtares shqiptare forcoi pozitat në vendin e tretë në renditjen e Superligës së Turqisë, duke qenë 5 pikë prapa Gallatasarajit kampion e kryesues, pra ende me shpresë për titullin.
Për më tepër, goli ishte tepër i bukur.
Si “engjëll” i çasteve të fundit, Muçi u shfaq në 24 nëntor të vitit të kaluar, kur realizoi rrjetën e fitores 4-3 në minutën e 10-të shtesë, pra në minutën e 100-të të sfidës.
Edhe ai ishte një realizim i veçantë.
Gjithsesi, talenti shqiptar ka treguar në vetëm dy muaj se çfarë klasi ka në këmbët e tij.
Kush e harron goditjen e dënimit ndaj Konjasporit, gjithnjë në kampionat, në fitoren 3-1 në shtëpi.
Ai u shpall goli I javës, e padyshim që është në garë për të qenë numri 1 i sezonit.
Po ashtu, realizimin e dytë në Gëztepe në fitoren 2-1, kur ia doli ta tundte rrjetën dy herë.
E veçantë edhe goditja në Kupën e Turqisë, vetëm pak ditë më parë në suksesin kundër Istanbulsporit.
Pra, “engjëlli” Arnaut Ernest Muçi po habit vendin e madh edhe me golat e shkëlqyer, edhe me gjakftohtësinë e jashtëzakonshme për të fituar në sirenë.
Besohet se trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ika mbajtur shënim të gjitha këto.
