Trajneri i kombëtares së Polonisë Jan Urban, duket se është tepër i lumtur që goglat e shortit i rezervuan përballjen me Shqipërinë në gjysmëfinale ne “play off” të botërorit.

Në një intervistë për mediat vendase, ai është shprehur i bindur se ekipi i tij është favorit dhe se nuk mund të ankohet për shortin.

“Nuk mund të ankohemi. Po luajmë ndeshjen tonë të parë kundër Shqipërisë në shtëpi. Jemi favoritë, nuk kam frikë ta them këtë. Natyrisht, çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje të vetme, por një ndeshje në shtëpi është një avantazh që duhet ta shfrytëzojmë. Do t’i analizojmë; kemi kohë të mjaftueshme për këtë. Dhe kjo kohë do të thotë që nuk mund të flasim për asgjë më specifike.

Mund të kishim pasur një ndeshje më të keqe në raundin e parë. Nëse do ta kishim luajtur ndeshjen e dytë në shtëpi, do të kishte qenë fat i përsosur. Do të shohim kush e fiton gjysmëfinalen e dytë. Le ta themi kështu: nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës dhe duam të luajmë mirë atje, së pari duhet të kualifikohemi, të fitojmë play-off-et. Nëse nuk e bën këtë, do të thotë që nuk do të kishe arritur shumë as në vetë Kupën e Botës.”– tha ai.