Fitorja ndaj Andorrës jo vetëm i dha Shqipërisë tre pikë të arta, por e futi kuqezinjtë direkt në librat e historisë.

Skuadra e Sylvinhos është tashmë kombëtarja e parë europiane që siguron matematikisht pjesëmarrjen në Play-off-in e Kupës së Botës 2026, duke vulosur vendin e dytë në Grupin K pa pritur ndeshjen e fundit.

Tani, vëmendja është tërësisht te marsi dhe te shorti që do të përcaktojë rivalët e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit. Ajo që pritet të zbardhet në ditët e ardhshme është vazoja ku do të pozicionohet Kombëtarja në short – mes vazos së dytë dhe asaj të tretë. Gjithçka varet nga renditja e re e FIFA-s për skuadrat e kualifikuara.

Për Shqipërinë, vazoja e dytë do të ishte një avantazh i madh, pasi mundëson që ndeshja e parë e Play-off-it të luhet në shtëpi, përballë një rivali të vazos së tretë. Aktualisht, lëvizjet e rezultateve në Europë – sidomos fakti që Islanda ka kaluar Ukrainën – kanë sjellë një ndryshim të përkohshëm të panoramës së vazove.

Në këtë moment, duke marrë parasysh renditjen aktuale, kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në Play-off do të ishin:

Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova.

Natyrisht, gjithçka mund të ndryshojë me ndeshjet e mbetura, por nëse situata mbetet kështu, kuqezinjtë do ta nisin Play-off-in në “shtëpi”.

Vazot e mundshme të Play-off-it

VAZO 1: Itali, Turqi, Poloni, Hungari

VAZO 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Shqipëri

VAZO 3: Maqedoni e Veriut, Islandë, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë

VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut. /Top Channel/