21-vjeçari ul në stol mbrojtësin e kombëtares italiane
Vlerësimet – Në gazetat sportive italiane, futbollisti shqiptar vlerësohej nga nota 6,5, deri në notën 7,5, për paraqitjen e tij. Gazeta kryesore e Napolit, “Il Mattino”, i vuri atij notën 8 për paraqitjen e së dielës
Dy ndeshje i aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, i kanë mjaftuar Elseid Hysajt për t’u kthyer në emrin më të përfolur të skuadrës së Napolit dhe për të bindur të gjithë skeptikët që mendonin se ai nuk ishte gati për një skuadër të madhe. Paraqitja bindëse ndaj Klub Bryzh në Europa League të enjten është ndjekur nga një tjetër e jashtëzakonshme në Serinë A ndaj Lacios të dielën, aq sa në mediat sportive italiane, ai ka marrë notë të njëjtë me yjet si Higuain, Insinje e Hamshik, që ishin protagonistë kryesorë me golat e tyre të sukseseve 5-0 në të dy sfidat.
Pas 3 ndeshjesh në krahun e majtë, trajneri Mauricio Sarri vendosi që të kthente Hysajn në të djathtë dhe lojtari ishte i pagabueshëm, sidomos ndaj Lacios, ku emra si Felipe Anderson, Luliç e Keita nuk arritën ta kalonin asnjëherë. Këtë radhë, ai ishte efektiv edhe në fazën ofensive, duke ndihmuar Kajehon, i cili niste thuajse çdo aksion sulmues të Napolit. Kjo paraqitje bëri që mediat sportive italiane, sidomos ato të qytetit të Napolit, të komentonin të sigurta se tashmë krahu i djathtë i përkiste mbrojtësit 21-vjeçar shqiptar dhe se futbollisti i kombëtares italiane, Kristian Maxhio, duhej të fillonte të mësohej me stolin. Vetë Hysaj është treguar modest në prononcimet e tij pas ndeshjes së të dielës në darkë. “Ndeshja perfekte? Nuk mendoj se ekziston një e tillë. Ekziston vetëm një skuadër që dëshiron të përmirësohet dhe të bëjë vazhdimisht progres. Shpresoj që tifozët të jenë të lumtur. Për mua është një nder të vesh fanellën e Napolit dhe shpresoj që të bëj gjithmonë më të mirën për këtë skuadër”, theksoi futbollisti, i cili ka pranuar se në krahun e djathtë të mbrojtjes ndihet më mirë. “Kam luajtur gjithmonë majtas, por ndihem më mirë në të djathtë, pasi luaj me atë këmbë”, tha Hysaj.
Një nga më të gëzuarit për paraqitjet e mbrojtësit ishte trajneri Mauricio Sarri, i cili insistoi që në verë të merrte te Napoli futbollistin që kishte rritur për shumë vite tek Empoli. “Unë jam personi i vetëm që mund të flas me siguri rreth tij, pasi e njoh prej shumë vitesh. Ai mund të luajë në të dy krahët, por fatkeqësisht në ndeshjet e para nuk ishte në kushtet më optimale fizike, prandaj nuk u shfaq aq mirë”, tha trajneri në konferencën e djeshme për shtyp, duke mos hedhur poshtë idenë e kthimit të mbrojtësit shqiptar në krahun e majtë në ndeshjet e ardhshme.
Mes atyre që kanë përgëzuar Hysajn për paraqitjet bindëse, ka qenë edhe zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare, Paolo Tramezani. “I dërgova një mesazh urimi, por një paraqitje e tillë nuk është surprizë për mua. Në fillim kishte nevojë të ambientohej në një grup të ri dhe në një skuadër të rëndësishme. Empoli është një vend fantastik, por te Napoli ka më shumë përgjegjësi, ndaj i nevojitej kjo periudhë ambientimi”, ishin fjalët e Tramezanit për mbrojtësin të cilin ai e ka ndjekur nga afër që në ditët e para kur iu bashkua stafit të kombëtares. E. Kuka