Antonio Konte mund të thotë me bindje se është i kënaqur. Napoli i tij luajti ndeshjen që duhej ndaj Milanit dhe me meritë siguroi kualifikimin për finalen e Superkupës.
“Tani nuk ka rëndësi nëse do të jetë Bolonja apo Interi, e rëndësishme është të jemi aty për të luajtur për trofeun. Pak ka për të thënë për këta djem, sepse të përsëritësh gjithmonë të njëjtat gjëra bëhet e mërzitshme. Kur luan çdo tre ditë me pak lojtarë, energjitë nuk mund të jenë gjithmonë në maksimum dhe është e natyrshme të ketë ditë më pak të mira.
Ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen. Por djemtë treguan se donin të luanin një ndeshje serioze. Donin të mbronin titullin që mbajnë në gjoks dhe që ishin aty jo për ftesë, por sepse e kishin fituar vetë. Shijuam mbrëmjen kundër një skuadre të madhe si Milani.
Duhet të kemi gjithmonë energji të madhe, sepse luajmë një futboll fizik dhe kërkues. Jam i kënaqur, djemtë treguan se duan të luajnë finalen. Një trofe është gjithmonë një trofe. Tani do të rikuperojmë energjitë dhe presim finalisten tjetër”, mbylli Konte.
