Europa League
Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Europa League kanë dhuruar mbrëmë një sfidë që do të kujtohet gjatë në stadiumin legjendar “Anfield”. Liverpuli vendas është kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut, pas një përmbysje të çmendur 4-3 ndaj Borusias së Dortmundit, në një ndeshje që dukej plotësisht e mbyllur pas 60 minutave të para. Anglezët e drejtuar nga Klop kanë hedhur kësisoj kandidaturën si pretendentë kryesorë për të fituar trofeun, por përballë do të kenë rivalë shumë të fortë, pasi katërshen e më të mirëve e plotësojnë Shakhtar Donjeck, Vijareal dhe Sevilja. Borusia Dortmund i bëri një fillim të jashtëzakonshëm ndeshjes, duke shënuar dy gola me Mkhitarjan dhe Oubamejang pa kaluar 10 minutat e para të sfidës. Meqë takimi i parë në Gjermani ishte mbyllur në barazimin 1-1, tashmë Liverpulit i duhej medoemos fitorja për të kaluar në turin tjetër. Të kuqtë arritën të gjenin një të çarë në mbrojtjen kundërshtare vetëm në fillimin e pjesës së dytë me Origin, por Rojs çoi përsëri në 2 diferencën e golave mes ekipeve kur regjistrohej minuta e 56-të, duke vendosur Borusian në pozita më se të favorshme për të kaluar në gjysmëfinale. Dukej sikur gjithçka kishte përfunduar por Liverpuli, i mbështetur nga një tifozeri e jashtëzakonshme, fillimisht shkurtoi diferencën me Kutinjon, ndërsa në minutën e 78-të rihapi ndeshjen me Sakho. Përmbysja historike u realizua në minutën e parë shtesë të takimit, kur Lovren shënoi me kokë për t’i dhuruar suksesin 4-3 ekipit anglez, që realizoi një tjetër arritje magjike në arenën ndërkombëtare pas asaj të famshmes kundër Milanit në Ligën e Kampioneve. Shakhtar Donjeck dhe Vijareali nuk vuajtën shumë për të siguruar kualifikimin e tyre. Ukrainasit mundën pa vështirësi portugezët e Sporting Braga me rezultatin 4-0, ku duhet theksuar se dy nga golat e ndeshjes ishin autogola të mbrojtësit mik Ferreira. Ashtu si skuadra e Mirçea Luçeskut, edhe Vijareali nuk vuajti përballë Spartës së Pragës, ndonëse luante në transfertë ndeshjen e kthimit. Bakambu (2 gola), Kastijeho dhe Bruno e çuan në 4-0 rezultatin, duke bërë formalitet kualifikimin, i cili nuk u vu asnjëherë në diskutim, edhe pse vendasit shënuan dy gola në minutat e mbetura të sfidës. Ndërkohë, Seviljes iu deshën penalltitë për të kaluar Atletik Bilbaon, që fitoi 2-1 në transfertë, ashtu siç kishin bërë fituesit në fuqi të turneut në ndeshjen e parë. Gjithçka u vendos nga gabimi i Benat, i cili i dha mundësinë ekipit të Unai Emeri të vazhdojë rrugëtimin në turneun që e ka fituar në dy vitet e fundit radhazi.
Çerekfinalet
Sh. Donjeck-S. Braga 4-0 (2-1)
25′ (p) Srna, 42′ (ag), 73′ (ag) Ferreira, 51′ Kovalenko
Sparta Pragë-Vijareal 2-4 (1-2)
65′ Doçkal, 71′ Krejçi / 5′, 49′ Bakambu, 43′ Kastijeho, 45′ Bruno
Sevilja-A. Bilbao 1-2 (2-1)
5-4 p
59′ Gameiro / 57′ Aduriz, 80′ Raul Garcia
Liverpul-B. Dortmund 4-3 (1-1)
48′ Origi, 66′ Kutinjo, 78′ Sakho, 90’+1′ Lovren / 5′ Mkhitarjan, 9′ Oubamejang, 56′ Rojs
* Në kllapa, ndeshjet e para
Në gjysmëfinale
Shakhtar Donjeck, Vijareal, Liverpul, Sevilja