Ditët e fundit të këtij viti kanë sjellë një humbje të rëndë për sportin e basketbollit dhe për Dinamon, pasi ish-basketbollisti Enea Andrea ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur dhe parakohshme, në moshën 54-vjeçare.

Ngjarja e hidhur ndodhi mëngjesin e sotëm, kur Enea Andrea, i cili ndodhej duke ushtruar në palestër, nuk u kthye më. Rreth shtatë vjet më parë, ai kaloi një problem me zemrën, por pas atij periudhë u rikthye në formën optimale fizike dhe vazhdoi të ushtrohej çdo ditë.

Enea Andrea ishte një emër i njohur për sportin e basketbollit shqiptar, duke luajtur për shumë vite me ekipin e Dinamos dhe duke qenë pjesë e ekipit kombëtar. Pas karrierës si lojtar, ai shquhej për rolin e tij si specialist dhe komentator në transmetimet televizive të basketbollit amerikan NBA, duke u bërë një figurë e njohur edhe në median shqiptare.

Përveç karrierës së tij sportive, Enea ishte gjithashtu vëllai binjak i aktores së njohur shqiptare, Ema Andrea. Lajmi për ndarjen nga jeta të tij ka tronditur jo vetëm familjarët e tij, por edhe të gjithë ata që e njohën si sportist dhe komentator.