Më 4 Shtator, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luajti ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, në “Europa Point Stadium”. Kjo sfidë u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për sfidën e ardhshme zyrtare kundër Letonisë, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Ky ishte edhe një test për gjendjen e lojtarëve para sfidës zyrtare.

Në Top Albania Radio nga ora 18:00 deri më 20:00 u transmetua live edhe emisioni “Pasó”, një episod i dedikuar vetëm ndeshjes së Kombëtares ku në studio ishin Glenti Nallbani, Ed Manushi, Lorenc Jemini, Gëzim Sinemati dhe Ervin Fakaj. Ata diskutuan së bashku në lidhje me performancën e Kombëtares, situatën në të cilën ndodhet momentalisht dhe çfarë pritet që të ndodhë në ndeshjet që kanë në vijim.

Pas ndeshjes dhe fitores 1 me 0 kundër Gjibraltarit, Ervin Fakaj u shpreh se:

Mund të kritikojmë kë të duam sot, trajnerin, stafin, Federatën, por unë besoj se përgjegjësit kryesorë të paktën për ndeshjen me Gjibraltarin janë vetë lojëtarët. Nuk mund të futesh ti dhe të veshësh fanellën e ekipit Kombëtar, pavarësisht të gjitha atyre vështirësive që unë i përmenda dhe ti të dalësh me atë lloj performance është e pajustifikueshme.

Gjithashtu Ed Manushi theksoi se:

Kjo është një ndeshje alarmi për trajnerin, për institucionin, për ato lekë që ne i harxhojmë në futboll dhe nuk i marrim mbrapsht. Kjo është një ndeshje që të bën ta bësh aq të thellë dhe të detajuar analizën sa që nuk ka më. E marta është stacioni i fundit sepse nëse të ndodh diçka jo pozitive të martën, të rrëzohet i gjithë sistemi papritur i kompeticionit. Do kërkosh trajner të ri dhe një formulë tjetër për Kombëtaren.