Një vendim i pazakontë është marrë nga autoritetet sportive në Brazil ndaj futbollistit Victor Gabriel, pas ndërhyrjes së rëndë që i shkaktoi një dëmtim serioz kundërshtarit të tij, Gabriel Pec.

Mbrojtësi 22-vjeçar i Internacional u ndëshkua me karton të kuq gjatë sfidës së kampionatit brazilian ndaj Cruzeiros, e fituar nga kjo e fundit me rezultatin 2-1, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj sulmuesit kundërshtar.

Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata e Lartë e Drejtësisë Sportive (STJD) vendosi ta pezullojë lojtarin për të paktën gjashtë ndeshje. Megjithatë, masa disiplinore nuk përfundon me kaq. Sipas vendimit, pezullimi do të vijojë deri në momentin kur Gabriel Pec të rikthehet në stërvitje, por jo më shumë se 180 ditë, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Si pasojë e ndërhyrjes, Gabriel Pec pësoi frakturë në tibian e këmbës së majtë dhe parashikohet të mungojë në fushat e lojës për rreth tre deri në katër muaj.

Gjatë seancës dëgjimore, Victor Gabriel mohoi se kishte pasur qëllim të lëndonte kundërshtarin. Ai deklaroi se terreni ishte i lagësht dhe i rrëshqitshëm, çka, sipas tij, bëri që të humbiste kontrollin gjatë ndërhyrjes.

“Ishte një incident i pafat. Menjëherë i kërkova falje dhe i shpreha mbështetjen time të plotë”, u shpreh futbollisti.

Nga ana tjetër, prokuroria sportive argumentoi se ndërhyrja përbënte një rrezik serioz për integritetin fizik të kundërshtarit, megjithëse pranoi se nuk kishte prova që lojtari kishte vepruar me qëllim për ta dëmtuar.