Tirana do të shndërrohet nesër në skenën e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qeverisjes së futbollit europian, duke pritur për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Nga sot deri të premten, Federata Shqiptare e Futbollit është nikoqire e drejtuesve më të lartë të federatave të kontinentit, të kryesuar nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Shefi i futbollit europian pritet të mbërrijë pasditen e sotme në aeroportin e Rinasit, ku do të mirëpritet nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Sipas programit, të enjten në orën 09:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë do të zhvillohet një festival për fëmijë, si pjesë e iniciativës së UEFA-s “Futbolli në Shkolla”. Ceremonisë hapëse do t’i bashkohen vetë Čeferin dhe Duka.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv do të fokusohet në disa vendime të rëndësishme, përfshirë caktimin e vendeve organizatore për finalet e:
- UEFA Champions League 2027
- UEFA Women’s Champions League 2027
- UEFA Futsal Champions League 2026
- UEFA Futsal Under-19 EURO 2027
- UEFA Women’s Futsal EURO 2027
Në rend dite janë gjithashtu tre çështje të tjera:
- shpërblimet për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025,
- miratimi i rregulloreve për Kampionatin Europian të Futsalit për vajza,
- si dhe rregulloret e fazës kualifikuese europiane për FIFA Futsal World Cup 2028.