Humbja tragjike e futbollistit Fatjon Bunjaku ka prekur thellë botën e futbollit shqiptar dhe kosovar. Pas lajmit të rëndë për ndarjen e tij nga jeta në moshën 22-vjeçare, klubi i AF Elbasanit ka shprehur dhimbjen përmes një mesazhi emocionues.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, klubi verdheblu vlerëson figurën e Bunjakut si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës, duke theksuar se ai ishte më shumë se një futbollist për skuadrën.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku. Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë”, thuhet në deklaratë.
Klubi nënvizoi se përkushtimi, pasioni dhe profesionalizmi i tij do të mbeten një kujtim i pashlyeshëm për të gjithë ata që punuan dhe luajtën pranë tij.
AF Elbasani shprehu gjithashtu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të afërmit e futbollistit, duke theksuar se kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat e komunitetit verdheblu.
“Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin. Fatjoni nuk do të harrohet”, përfundon mesazhi i klubit.
