Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho është rikthyer të flasë për kombëtaren tonë dhe për futbollistët shqiptarë.

Në një intervistë për ‘Karar’ në Turqi, ish-trajneri i kombëtares ka thurur elozhe për sulmuesin e Trabzonspor dhe Kombëtares, Ernest Muçi. Edhe pse gjatë kohës që drejtonte kuqezinjtë, dukej se nuk e preferonte, në disa raste duke mos e grumbulluar e në të tjera duke mos e aktivizuar, tashmë braziliani flet ndryshe. Sylvinho ka lavdëruar sulmuesin, madje duke thënë se Muçi ka cilësitë për të qenë pjesë e klubeve në Premier League.

“Muçi është një lojtar shumë i mirë me aftësi të larta teknike. Ai gjithashtu ka një kapacitet të lartë për të shënuar gola. Ai po zhvillohet shumë dhe padyshim që ka më shumë hapësirë ​​për t’u rritur. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar. Kishte shumë konkurrencë për atë pozicion në ekipin kombëtar, por ne ishim të sigurt se ai nuk ishte vetëm një futbollist shumë i mirë, por edhe një njeri shumë i mirë. Ai ishte gjithmonë një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Muçi mund të luajë në Premier League dhe nëse kjo ndodh, kjo do ta ndihmonte shumë karrierën e tij të rritej. Siç tha trajneri i Trabzonspor, edhe unë mendoj se Muçi është një lojtar i nivelit të Premier League. Besoj se ai do të arrijë nivele edhe më të larta në karrierën e tij”, tha Sylvinho.