Dilemat morën fund dhe trajneri Sylvinho rinovoi kontratën me FSHF, për të vazhduar dhe një vit drejtimi ne Kombëtares shqiptare të futbollit.

Por sigurisht, rinovimi i trajnerit dhe stafit të tij, i përbërë nga Dorival dhe Zabaleta, u shoqërua edhe me rritje të pagës. Nëse kontrata e mëparshme kishte vlerë 1,1 milionë euro, nga ku 750 mijë euro i përfitonte trajneri dhe pjesa tjetër ndahej për asistentët, tani shifra është më e lart.

Vlera e përgjithshme e kontratës së re është rreth 1,5 milionë euro. Nga kjo shifër, 1 milionë euro do ti përfitojë trajneri Sylvinho dhe 500 mijë euro do të ndahen mes Dorival dhe Zabaletës. Ndërkohë stafi do të përfitojë bonus të konsiderueshëm nëse arrihet objektivi i kualifikimit në Botërorin 2026.

Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026. Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FSHF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit Kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka treguar progres dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, ku tregoi performancë të denjë dhe bindëse në takimet kualifikuese si edhe u përballë denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë në Euro 2024 ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.