Mario Balotelli është gati të nisë sezonin e tij të parë të plotë me Al Ittifaq, skuadër ku u transferua në janar dhe ku regjistroi 14 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në një intervistë ekskluzive për SportMediaset, sulmuesi italian foli për aventurën e re, të ardhmen e tij dhe futbollin italian.

“Jam shumë mirë këtu. Projekti është serioz dhe skuadra ka potencial për t’u përmirësuar. Për më tepër, jeta në Dubai është shumë e mirë. Nuk e di edhe sa do të vazhdoj të luaj futboll, por do ta bëj për aq kohë sa kam ende pasion për stërvitjen, djersën, ndeshjet dhe golat. Ajo që po më lodh gjithnjë e më shumë është gjithçka që rrethon futbollin modern”, u shpreh Balotelli.

Një veçanti e këtij sezoni do të jetë fakti se për herë të parë në karrierë ai do të luajë në të njëjtën skuadër me vëllain e tij, Enock.

“Fizikisht është një bishë. Jam i bindur se do të bëjë mirë, edhe pse nuk do t’ia kursej ngacmimet”, tha ai me humor.

Duke folur për futbollin italian, Balotelli pranoi se i mungon Serie A, por ajo e viteve të kaluara.

“Më mungon futbolli italian i 15 viteve më parë, mënyra si luhej dhe lojtarët që kishte. Do të doja që Serie A të rikthehej në nivelin më të lartë. Një rikthim imi në Itali është shumë i vështirë. I kisha thënë vetes se Genoa do të ishte përpjekja ime e fundit, por klubi gaboi në shumë gjëra. Më vjen keq, sepse qyteti, tifozët dhe skuadra ishin fantastike.”

I pyetur nëse Serie A ka nevojë për një lojtar si ai, Balotelli nuk u tregua aspak modest.

“Për sa i përket cilësisë, edhe sot nuk shoh futbollistë më të fortë se unë në Itali. Është e vërtetë që futbolli modern favorizon lojtarët me më shumë vrapim dhe forcë fizike, por nuk shoh askënd me stilin tim të lojës.”

Sulmuesi kujtoi edhe faktin se goli i fundit i Italisë në një Kupë Bote mban ende firmën e tij, plot 12 vite më parë ndaj Anglisë.

“Nuk është diçka për të cilën duhet të jem krenar. Përkundrazi, është e trishtë që kanë kaluar kaq shumë vite.”

Balotelli foli edhe për kritikat që ka marrë gjatë karrierës.

“Kam bërë disa budallallëqe kur isha i ri, por mendoj se shpesh ka pasur edhe teprim ndaj meje. Nuk pendohem, sepse më kanë ndihmuar të rritem. Kur shoh çfarë bëjnë disa njerëz sot, kam ndërgjegje të pastër. Nuk i kam bërë kurrë keq askujt.”

Sa i përket trajnerëve, ai vlerësoi Cristian Chivun, duke e cilësuar një teknik inteligjent dhe të përgatitur taktikisht, ndërsa shtoi se Interi mbetet skuadra favorite për t’u mundur në Serie A.

Për Zlatan Ibrahimović në rolin e drejtuesit te Milani, Balotelli komentoi me ironi: “Zlatan është drejtues i Zlatanit. Di vetëm që ai jep gjithmonë 100 për qind në çdo gjë që bën.”

Ai u ndal edhe te merkatoja, duke komentuar transferimin e Gonçalo Ramos te Milani.

“Serie A është një kampionat shumë sfidues për një sulmues të huaj. Kam parë lojtarë të fortë që kanë dështuar në Itali dhe më pas kanë shkëlqyer sërish jashtë vendit. Për të do të jetë një provë e rëndësishme.”

Balotelli zbuloi gjithashtu se pas largimit nga Manchester City kishte qenë pranë transferimit te Juventusi, por në fund zgjodhi Milanin.

“Nuk kam asnjë pendesë. Ishte zgjedhja ime, edhe pse ajo Juventus ishte një skuadër shumë e fortë.”

Në fund, ai uroi Massimiliano Allegrin për aventurën e re te Napoli, duke e konsideruar ekipin napolitan dhe Interin favoritë për titullin kampion, ndërsa si surprizë të sezonit përmendi Romën.

Për yjet e futbollit botëror, Balotelli renditi Lionel Messin në krye.

“Messi është futbollisti më i mirë në botë. Pas tij, sipas shijes sime, vijnë Kylian Mbappe dhe Erling Haaland.”