Në aktivitetin e madh të boksit në Angli ku morën pjesë 2 boksierët shqiptarë, gjithçka ka folur shqip në York Hall Arena të Londrës.

I kanë mjaftuar vetëm 1 raund e gjysmë Nelson Hysës, për të gjunjëzuar me knockout kundërshtarin e tij për peshat super të rënda, argjentinasin Brakamonte.

Një super paraqitje kjo e Nelsonit i cili mbi 90% të ndeshjeve të tij që janë të gjitha fitore, i ka me knockout. Pasi e rrëzoi dy herë kundërshtarin e tij, në raundin e pare dhe më pas në të dytin, ishte e pamundur për të, që të vazhdonte në superndeshjen e mbrëmjes së gjatë, që startoi në arenën më të famshme të boksit në Londër dhe që u transmetua drejtpërdrejtë në Digitalb.

Përpara tij, fitorja e parë shqiptare ishte ajo e Alban Bermeta, boksieri nga Tirana, arriti të fitojë me knockout (KO) përballë kampionit të Bullgarisë Mario Verger.