Jurgen Klopp ka mbajtur konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i kombëtares së Gjermanisë, duke nisur zyrtarisht epokën e re në stolin e “Pancerave”. Ish-trajneri i Liverpoolit do të drejtojë përfaqësuesen gjermane me objektivin për ta rikthyer atë mes skuadrave më të forta në futbollin botëror.
Në aventurën e re, Klopp do të ndihmohet nga Peter Krawietz, Pepijn Lijnders dhe Sven Bender, ndërsa Federata Gjermane ka vendosur gjithashtu që Per Mertesacker të marrë postin e drejtorit të përgjithshëm të futbollit, duke nisur nga janari i vitit 2027.
Në fjalën e tij të parë, 58-vjeçari theksoi rëndësinë që ka kombëtarja për popullin gjerman dhe emocionet që i ka sjellë marrja e këtij posti.
“Kombëtarja është një nga gjërat e pakta që bashkon gjithë vendin. Pikërisht kjo e bën këtë detyrë kaq të veçantë. Jam mirënjohës për gjithçka që mësova gjatë periudhës sime te Red Bull dhe për të gjithë ata që bënë të mundur këtë marrëveshje. Tani na pret një sfidë e madhe: të ndërtojmë një skuadër që lufton për njëra-tjetrën, luan me pasion dhe bën që tifozët gjermanë të ndihen krenarë”, deklaroi Klopp.
Ai pranoi se drejtimi i kombëtares është përgjegjësia më e madhe e karrierës së tij.
“Të jem ulur sot këtu është një nder i jashtëzakonshëm. Në ditët e fundit kam rikthyer në mendje gjithë rrugëtimin tim, nga fillimet e deri në këtë moment. Asnjëherë nuk do ta kisha imagjinuar se një ditë do të drejtoja ekipin kombëtar të Gjermanisë. Kur emri yt lidhet me këtë post, e kupton peshën dhe përgjegjësinë që mbart”, u shpreh ai.
Klopp dërgoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit, mediat dhe tifozët, duke vendosur një vijë të kuqe sa i përket familjes së tij.
“Nuk jam këtu për veten time, por për futbollin gjerman. E di shumë mirë çfarë kanë kaluar paraardhësit e mi, si Julian Nagelsmann apo Thomas Tuchel. Kritikat ndaj meje janë pjesë e këtij profesioni dhe do t’i pranoj gjithmonë. Nëse mendoni se nuk jam në lartësinë e detyrës, ma thoni hapur dhe do të largohem pa kërkuar asnjë euro dëmshpërblim. Por ka një kufi: familja ime. Nëse ajo përfshihet në sulme, atëherë do të largohem menjëherë. Familja ime duhet të mbetet jashtë futbollit”, theksoi trajneri gjerman.
Në fund të konferencës, Klopp la të kuptohet se nuk e sheh këtë detyrë si një hap drejt një aventure tjetër.
“Nuk kam në mendje një tjetër karrierë pas kombëtares. Nëse gjithçka shkon siç duhet, drejtimi i Gjermanisë do të jetë pika më e lartë e gjithë jetës sime profesionale”, përfundoi ai.
