Personazhet publikë po kthehen gjithmonë e më shumë në modelet që fëmijët dhe të rinjtë zgjedhin të ndjekin e të kopjojnë, në ditët e sotme.

Ata kopjojnë veshjet e tyre, sjelljen dhe po ashtu, kujdesen të ndjekin me përpikëri çdo mesazh që u japin këta personazhe, madje duke u besuar më shumë dhe se fjalëve që prindërit u thonë. Duke e ditur këtë efekt, futbollisti Francës, Antoine Griezmann ka zgjedhur ta përdorë “fuqinë” e tij në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kampioni i botës, i cili mund të cilësohet i tillë edhe në jetë, ka dërguar një mesazh shumë të bukur në nisje të vitit të ri shkollor, për të gjithë nxënësit dhe studentët.

Ai ka postuar një story në Instagramin e tij, ku u kërkon të gjithëve të kujdesen për ata që janë duke kaluar një moment të vështirë. Për ata që e kanë të vështirë të krijojnë miq, për ata që janë viktima të bullizmit, Griezmann kërkon që tu dhurohet të paktën një buzëqeshje, sepse sipas tij, kjo mund t’ju ndryshojë botën.

 “Kam një kërkesë të veçantë për ju të rinjtë që sapo jeni kthyer në shkollë: nëse shihni dikë që ka vështirësi të bëjë miq ose që po bullizohet sepse nuk ka shumë miq ose sepse është i turpshëm ose sepse nuk është i bukur dhe i veshur me rroba të modës, JU LUTEM, përshëndeteni ose të paktën buzëqeshni këtij personi kur e takoni atë në korridor. Ne nuk e dimë se çfarë po përjeton ky person jashtë shkollës. Mirësia juaj mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e dikujt.”- shkruhej në postimin e futbollistit të Francës dhe klubit spanjoll, Atletico Madrid.