Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e radhës për incidentet e regjistruara në ndeshjet e fundit të futbollit shqiptar.
Në listën e masave ndëshkuese përfshihen gjoba për klubet, pezullime për zyrtarë dhe masa për shkeljet e rregullave të garës. KF Tirana dhe AF Elbasani janë gjobitur me nga 50 mijë lekë për sjelljen e tifozëve, të cilët hodhën sende në fushën e lojës. Për Tiranën, ndëshkimi lidhet edhe me përdorimin e mjeteve piroteknike.
Ndërkohë, zyrtari i Skënderbeut, Gentian Lico, është pezulluar për tri ndeshje, pasi hyri në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar. Me nga katër ndeshje pezullim janë dënuar Ermal Beqiri i Korabit dhe Fatjon Xhafa i Sopotit, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Edhe Kukësi është ndëshkuar me gjobë 50 mijë lekë për vonesën në nisjen e ndeshjes, ndërsa masa financiare do të aplikohet në masën 50%, sipas rregullores përkatëse. Komisioni ka marrë vendime edhe për kategoritë e tjera të futbollit shqiptar, duke konfirmuar masat disiplinore ndaj klubeve dhe zyrtarëve për shkeljet e konstatuara gjatë javës së fundit. Vendimet e plota janë publikuar nga FSHF dhe mund të ankimohen brenda afateve të përcaktuara në rregulloren disiplinore.
