Twitter-i dhe tifozët e futbollit u shokuan pasditen e sotme, pas një postimi nga portieri legjendar i Spanjës dhe Real Masdrid, Iker Casillas.

Në një postim të thjeshtë, pa dhënë shpjegime, Casillas deklaronte se ishte homoseksual. Kjo u pa nga të gjithë si një dalje hapur e ish-futbollistit, edhe pse tingëllonte pak e pabesueshme për shkak të të kaluarës së lojtarit dhe ish-bashkëshortes së tij, Sara Carbonero.

Por ajo që i hodhi më shumë “benzinë zjarrit”, ishte një koment nga Carles Puyol. Legjenda e Barcelonës shkruante: “Ka ardhur momenti të tregojmë historinë tonë”, shoqëruar me një zemër dhe puthje.

Pasi Casillas e fshiu postimin dhe deklaroi se llogaria e tij ishte hakuar, duke kërkuar dhe falje, sytë u hodhën nga Puyol, i cili ende nuk e kishte fshirë komentin e tij.

Tahsmë dhe ky koment është fshirë, ndërsa vetë ish-lojtari i Barcelonës ka reaguar duke kërkuar falje, ndërsa deklaron se gjithçka ishte një shaka. Ai shprehet se nuk ka pasur qëllim të keq, megjithatë e kupton se ka prekur shumë njerëz, veçanërisht komunitetin LGBTQI.

Sipas dy ish-futbollistëve kjo ka qenë e vërteta, megjithatë ka nga ata që besojnë ende se fshihet diçka tjetër pas kësaj. Disa media aluduan se e gjitha mund të ishte një postim ironik, pas thashethemeve që flisnin për një lidhje të mundshme mes Iker Casillas dhe aktores Alejandra Onieva.

Por po ashtu, ka dhe nga ata që mendojnë se mund të ketë qenë vërtet një dalje hapur e Casillas, por që më pas është penduar.

Të gjitha këto mbeten vetëm aludime, pasi vetë dy ish-futbollistët e kanë thënë të vërtetën e tyre.