Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë në zi pas humbjes tragjike të Fatjon Bunjakut, mesfushorit 22-vjeçar që ndërroi jetë pas një aksidenti të rëndë automobilistik në aksin Prishtinë–Mitrovicë.
Bunjaku ishte pjesë e AF Elbasanit që prej verës së vitit 2025, ku konsiderohej një nga lojtarët me të ardhme premtuese. Ndarja e tij e parakohshme ka shkaktuar tronditje në komunitetin sportiv, mes tifozëve, bashkëlojtarëve dhe klubeve ku ai ka lënë gjurmë gjatë karrierës.
Para transferimit në futbollin shqiptar, 22-vjeçari kishte luajtur në disa prej skuadrave të njohura të Kosovës, mes tyre Trepça, Liria, Gjilani dhe Malisheva, duke fituar përvojë në elitën e futbollit kosovar.
Me fanellën e Elbasanit, Bunjaku zhvilloi 31 ndeshje zyrtare dhe realizoi tre gola, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në mesfushën e skuadrës verdheblu.
Ai ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueseve të moshave të Kosovës, ku regjistroi tre paraqitje me U-19 dhe katër me ekipin U-21, duke u konsideruar një nga talentet e brezit të tij.
Vdekja e Fatjon Bunjakut lë një boshllëk të madh në futbollin mbarëshqiptar, ndërsa mesazhet e ngushëllimit për familjen dhe të afërmit e tij vijojnë të vijnë nga e gjithë bota e sportit.
