Kjo nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli. Ishte një udhëtim mbrapa në kohë, në plagën që na la 14 tetori 2014, dhe një kthim madhështor në të tashmen, ku historia u shkrua ndryshe, më e pastër, më e fortë, më shqiptare se kurrë.

Stadiumi dukej i rregullt, tribuna e kontrolluar, por helmi i vjetër ishte ende aty, i futur mes dhëmbësh. Dëgjoheshin thirrje të fikura “Kosova është Serbi”, shfaqej një hartë e fshehur e Kosovës me flamur të tyre, zëra që murmuritnin vrer, fjalë të dala nga errësira e mbi 90 viteve konflikt. Ëndrra e tyre ishte që ne të hynim në fushë me mendjen tek e shkuara kur na mendonin të mundur, por ndodhi e kundërta.

Ne shkuam për të luajtur futboll dhe Shqipëria mbrëmë nuk luajti thjesht një ndeshje, ajo dha një shuplakë historike. Mori tri pikë që vlejnë si biletë për play off-in e Botërorit 2026 dhe ua mori në shtëpinë e tyre, aty ku besonin se frika jonë do t’i mbronte ata. Por fituam ne me qetësinë e atyre që e dinë se historia ka ndryshuar kah.

Ata nuk patën më fuqi të ulërinin, nuk patën më fuqi të godisnin, e vetmja gjë që iu mbeti ishte të mërziteshin, me veten. Ne nuk u trembëm nga frika e tyre, ne u përqafuam me rezultatin, me fitoren, me realitetin. Kosova është e lirë, është e pavarur, është pjesë e shqiptarëve dhe as flamuj e pikturuar dhe as britma paranojake nuk e ndryshojnë këtë. Edhe në eliminatoret e Europianit të 2016-ës ishin pas nesh edhe tani prapa mbeten.

Fitorja në Leskovc nuk fshiu nga memorja jonë 2014-ën, ne nuk shkuam për t’u hakmarrë, shkuam për të treguar se kush jemi. Dhe u pa qartë, nuk jemi më kombi që rrëmbehet, goditet dhe hesht. Jemi kombi që futet në fushë, i merr pikët dhe u lë bosh tribunat, me krenarinë tonë mbi supe dhe flamurin tonë në zemër.

Kjo ishte nata kur Serbia nuk na frikësoi më, kjo ishte nata kur historia u kthye në anën tonë. Dhe kur ata mbetën në heshtje, ne qeshëm, jo nga përçmimi, por nga çlirimi, sepse kësaj radhe, nuk treguam gjurmë plagësh, por hapëm plagë tek ata me fitoren tonë.